Shenjtorët kanë secili nga një shtëpizë përgjatë lumit, me një ballkon që sheh mbi oqean. Ky oqean është Zoti. Verës, kur bën shume nxehtë, ata zhyten në ujërat e kaltra të oqeanit, ne atë ujë që është Zoti vetë.
Sapo marrin vesh që po vjen ndonjë shenjt i ri, menjëherë fillojnë nga puna për ndërtimin e një shtëpize të re, përkrah të tjerave.
Kështu ato ndjekin njëra tjetrën, përgjatë bregdetit, pa fund, hapësira sigurisht që nuk mungon.
Edhe Shën Gançiloja, menjëherë pas emërimit , mbërriti në vend dhe çdo gjë e gjeti gati, njësoj si të tjerët.Me mobile,të brendshme, enë kuzhine, ndonjë libër të bukur dhe gjithçka tjetër që nevojitet.
Varur ne mur ishte dhe nje vrasëse mizash, sepse në atë zonë gëlonin mjaft miza, por jo të bezdisshme.
Gançiloja nuk ishte ndonjë shenjt i famshëm. Kishte jetuar përulësisht, si fshatar i thjeshtë dhe, vetëm pas vdekjes dikush ishte kujtuar për mirësinë që kish patur ai njeri. Famullitari, pa patur shumë besim tek e vërteta, kishte ndërmarrë hapat e para për proçesin e lumturueshëm.Që prej atëherë kishin kaluar rreth 200 vjet. Por ne gjirin e thellë të Kishës, hap pas hapi e pa u ngutur, proçesi kishte shkuar përpara.
Peshkopët dhe Papët vdisnin njëri pas tjetrit dhe te tjerë ua zinin vendin.Megjithatë dosja e Gançilos kalonte nga një zyrë në tjetrën, gjithnje lart e më lart. Kushedi ç’dorë misterioze kishte hedhur një frymë mëshire mbi ato shkresurina tashmë të zverdhura dhe nuk kish prelat që të mos i bënin pershtypje, sapo ‘i binin ne dorë.Kjo shpjegon pse nuk e linin pas dore këtë histori.Derisa një mëngjes, imazhi i fshatarit i rrethuar nga një brerore rrezesh të arta, u ngrit deri tek Shën Pjetri dhe atje poshtë vetë Ati i Shenjtë këndoi psallmin e lavdisë, duke e ngritur Gançilon në madhështinë e altarëve.
Në fshatin e tij u bëne festa të mëdha. Një studiues i historisë lokale mendoi se do të zbulonte shtëpinë ku kishte lindur, ku ishte rritur e ku kishte vdekur Gançiloja. Ajo shtëpi tashmë është shndërruar në një lloj muzeu fshatarak.
Prej kohësh që s’mbahen mend, fshati kishte nderuar si mbrojtësin e vet një tjetër shenjtor,Markolinon. Për të puthur statujën e tij çudibërëse, vinin pelegrinë edhe nga krahina tepër te largëta.
Pikërisht pranë kapelës madhështore të Shën Markolinos, që gëlonte nga besimtarët dhe qirinjtë e ndezur, qe ndërtuar altari i ri i Gançilos. Por kush ia vinte veshin? Kush pergjunjej për t’u lutur? Tani, pas 200 vjetesh, ai ishte një figurë tepër e zbehtë!
Tek ai altar nuk të tërhiqte asgjë, asgjë. Ai nuk ta nxiste imagjinatën…
Ndërkohë, Gançiloja që s’e kishte parashikuar kurrë një nder të të tillë, u vendos në shtëpizën e vet dhe, i ulur në ballkon, nën diell, vështronte me ëndje oqeanin që frymëmerrte i qetë dhe i gjithpushtetshëm.
Përpos të gjithave mëngjesin tjetër, i zgjuar herët pa një postier me biçikletë që hyri në shtepizën pranë me një pako të madhe në duar. Pastaj kaloi tek shtëpia fqinjë, për të lënë edhe atje një tjetër pako.
Kështu edhe në shtepitë e tjera derisa i humbi fare nga sytë.
Ndërsa atij nuk I solli asgjë!
Meqë kjo gjë u përsërit edhe në ditët në vazhdim, Gançiloja, kureshtar, i thirri postierit dhe e pyeti:
- Me fal, po çfarë u çon çdo mëngjes gjithë shokëvë të mi, ndërsa mua nuk më ke sjellë kurrë asgjë?
- Është posta -iu pergjigj ai duke hequr bereten në shenjë respekti. - Une jam postieri.
-Ç’postë? Kush e dërgon?
Këtu postieri buzëqeshi dhe bëri një gjest si për të treguar ata të botës tjetër,ata atje përtej, njerëzit atje poshtë në botën e vjetër.
-Peticione? - pyeti Shën Gançiloja, që filloi të kuptonte diçka.
-Po, peticione, lutje, kërkesa të çdo lloji. -tha postieri me ton mospërfillës sikur të ishte fjala për çikërrima, për të mos e mërzitur shenjtorin e ri.
-Po kaq shume vijnë çdo ditë?
Postieri do të kishte dashur t’i thoshte se ajo ishte një stinë e vdekur dhe, në ditët e pikut, vinin dhjetra herë më shumë se aq.Por duke menduar që Gançiloja do të ndihej keq e kaloi me një ” Epo,varet sipas rastit”.
Pataj gjeti një shkas për t’ia mbathur.
E vërteta është se Shën Gançilos nuk i lutej askush, sikur ai të mos ekzistonte. As edhe një letër, një shënim apo kartolinë. Dhe ai, duke parë gjithë ato pliko për kolegët e tij, jo se ishte ziliqar, sepse zemra e tij nuk ishte e zonja per te tilla ndjenja, por sigurisht që ndihej keq.Thuajse e brente ndërgjegja që rrinte aty kot më kot, pa bërë asgjë, ndërsa të tjerët merreshin me një sërë punësh. Shkurt, i dukej se e hante tradhëtisht bukën e Perëndisë.( ishte një bukë e veçantë,pak më e mirë se ajo e fatlumëve të zakonshëm.) Kjo brengë e çoi një ditë në rrethinat e njërës prej shtëpizave më të afërta, prej nga vinte një tik-tak i çuditshëm.
- Oh, hyr të lutem, eja, i dashur! Ai kolltuku aty është shumë i rehatshëm.Më
fal, sa të mbaroj një punë të vockel dhe erdha menjëherë! - i tha kolegu me përzemërsi.
Kaloi shpejt në dhomën pranë dhe me një shpejtësi që të linte pa mend i diktoi stenografit një duzinë letrash dhe urdhrash, te cilat sekretari nisi t’i shtypte në makinë.Pastaj u kthye tek Gançiloja.
-Eh, mor i dashur, me gjithë ato letra që vijnë pa një grimë organizimi, do të ishte goxha punë e ngatërruar.Tani eja me mua të të tregoj skedarin tim të ri elektronik,me skeda te shpuara.
Shkurt, u tregua shumë i sjellshëm.
Sigurisht që Gançiloja s’kishte nevojë për skeda me ” vrimë” dhe u kthye në shtëpi zemërlëshuar.
Mendonte ” Si është e mundur që asnjë nuk ka nevojë për mua? Mund të isha i dobishëm që ç’ke me të.Po sikur të bëja ndonjë mrekulli të vogël, sa për të tërhequr vëmendjen?”
U tha, u bë! I lindi ideja t’i lëvizte sytë portretin të vet në kishën e fshatit.Para altarit të Shën Gançilos nuk shkonte kurrë njeri, por rastësisht aty kaloi Memo Tança, budallai i fshatit. Ai pa portretin tek po i rrotulloheshin sytë dhe filloi të bërtiste me sa kish në kokë për këtë mrekulli që po ndodhte.
Në të njëjtën kohë, me shpejtësi rrufeje, gjë që iu lejohej edhe nga pozicioni i tyre social, dy-tre shenjtorë shkuan tek Gançiloja dhe me shumë mirësi i lanë të kuptonte që duhet të hiqte dorë. Jo s’e kish ndonjë gjë të keqe,por ato lloj mrekullish s’para i kishin shumë për zemër në qarqet e larta. Ata flisnin pa asnje fije keqdashjeje, po si mund t’i bënte këto gjëra, sidomos ky i ardhuri i fundit, që i kryente mrekullitë aty për aty me paturpësinë më të madhe! Ato mrekulli atyre u kushtonin gjithë atë mund të mallkuar.
Shën Gançiloja sigurisht që hoqi dorë dhe, poshtë në fshat, njerëzit e mbledhur nën britmat e idiotit e vëzhguan gjatë portretin pa zbuluar asgjë te pazakontë, prandaj u larguan të zhgënjyer. Edhe për pak Memo Tança do kish ngrënë një dru të mirë.
Atëherë Gançiloja mendoi të tërhiqte vëmendjen me diçka më të vogël dhe poetike. Kështuqë bëri te lulezonte nje trëndafil shumë të bukur mbi gurin e varrit të tij të vjetër, që ishte ndrequr me rastin e shenjtërimit të tij,por që tani ishte braktisur sërish. Fati i tij i keq e donte që askush të mos e pikaste mrekullinë. Kapelani i varrezës e pa trëndafilin e u hodh me vrap tek varrmihësi dhe e ngriti peshë: ” Të paktën për varrin e Shën Gançilos mund të kujdesesh, apo jo? Turp të kesh mor dembel, që më mirë mos qofsh! Kalova tani andej dhe ishte mbushur plot me barëra të këqija.” Dhe varrmihësi nxitoi t’i këpuste të gjitha filizat e trëndafilit.
Për të qenë fare i sigurtë, Gançiloja iu kthye mrekullisë më tradicionale: Të verbrit të parë që kaloi para altarit të tij, i riktheu shikimin.Por as këtë herë nuk i eci mbarë, sepse askujt nuk i shkoi ndër mend që kjo mrekulli të ishte vepër e Gançilos dhe te gjithë nderuan Shën Markolinon, që e kishte altarin aty afër. Aq i madh qe entuziazmi, saqë e morën në krahë statujën e Shën Markolinos, e cila peshonte disa kuintalë dhe, si në proçesion, e shëtitën në të gjitha udhët e fshatit, nën tingujt e kambanave. Dhe altari i Shën Gançilos mbeti me tepër se kurrë i harruar dhe i shkretë.
Atëherë Gançiloja tha: ” Më mirë të dorëzohem,duket që askujt nuk i bie ndër mend për mua.”
Dhe u ul në ballkon duke vështruar me kënaqësi oqeanin që, në fund të fundit, i krijonte një ndjesi të këndshme lehtësimi.
Ndërsa sodiste dallgët, dëgjoi të trokitura në derë, tak –tak! Shkoi ta hapte.Ishte Markolinoja dora vetë, që donte të shfajësohej. Markolinoja ishte goxha burrë, i shkëlqyer, i gjallë dhe fisnik.
-Ç’të bësh i dashuri im, Gançilo? Unë s’kam faj fare. Erdha, sepse nuk dua që ti të mendosh që…
-Po ç’thua ashtu? - ia ktheu Gançilo duke qeshur, shumë i ngushëlluar nga kjo vizitë.
- E shikon? - tha përsëri Markolinoja. - Unë nuk jam ndonjë shenjtor kushedi se çë, e megjithatë nuk më ndahen nga mëngjesi në darkë.Ti je shumë më i shenjtë se unë e prapëseprapë të lënë pasdore. Duhet të bësh durim vëlla, në këtë botë të ndyrë! - dhe i binte krahëve Gançilos me dashuri.
-Po pse nuk hyn? Pas pak do të errësohet e do të freskohet; eja të ndezim zjarrin dhe të hamë darkë bashkë!
-Me kënaqësi, vërtet me shumë kënaqësi -u përgjigj Markolinoja.
Hynë brenda,prenë drutë dhe ndezën zjarrin. Në të vërtetë me pak mundim,sepse drutë ishin të njomë.Por fry e fry, më në fund u ngrit një flakë e bukur. Atëherë sipër zjarrit Gançiloja vuri tenxheren me ujë për supën. Ndërkohë që ajo ziente,të dy u ulën aty prane duke ngrohur gjunjët e duke biseduar përzemërsisht
Nga oxhaku filloi të dilte një fjollë e hollë tymi, ai tym ishte Zoti.
Titulli origjinal ” I santi”
Dino Buzzatti
Përktheu: A. Baro
Etiketa: Buzzatti
Ju duhet të jenii/e identifikuarpër të dërguar një koment.

Asnjë Koment
Burimi RSS i komenteve të këtij artikulli
Trackback
http://arabiada.shqipo.com/2009/05/03/shenjtoret/trackback/