Korrik 2009

Jeni duke shfletuar arkivin mujor për Korrik 2009.

Nga Dino Buzzati

Do të doja që ti të vije tek unë një mbrëmje dimri dhe, të përqafuar së bashku pas xhamave të dritares, duke soditur vetminë e rrugëve të errëta e të ngrira, të kujtonim dimrat e përrallave, ku njerëzit jetojnë së toku pa e ditur. Unë dhe ti kaluam nëpër të njëjtat shtigje të magjepsura me hapa të druajtur; bashkë përshkuam pyjet plot ujq; dhe të njëjtat zana na pastronin udhën nga myshqet e nderë mbi kulla, mes fluturimesh korbash. Së toku, pa e ditur, ndoshta pamë të dy atje, tej jetën plot mistere që na priste. Aty rigëtinë për ne, për herë të parë dëshira çmendurake e të ëmbla.

Të bie në hatër, – do t’i themi njëri-tjetrit duke u përqafuar butësisht në dhomën e ngrohtë, dhe ti do të më buzëqeshësh besimplotë, ndërsa jashtë era do të tundte llamarinat që do të lëshonin tinguj të zymtë.

Por ti – tani po më ndërmendet – nuk i di përrallat e vjetra të mbretërve pa emër, të katallanëve dhe kopshteve të magjepsura. Kurrë nuk kalove, e mahnitur, nën pemët magjike që flasin me zë njeriu, as tek porta e kështjellës së braktisur nuk trokite kurrë, edhe natën nuk ece drejt dritës që ishte larg, larg, as gjumi nuk të zuri nën yjet e Lindjes, përkundur nga piroga e shenjtë.

Në mbrëmjet e dimrit, pas xhamave, ndoshta ne do të mbetemi përherë të heshtur, unë i humbur në përrallat e mia të vdekura, ti në hallet të tjera të panjohura për mua. Unë do të të pyes: “Të kujtohet?”, por ty nuk do të të bjerë ndër mend asgjë. Lexo më tej »

Ephraim KISHON

Përkthyer nga Robert Shvarc

Kësulëkuqja e tmerrit

Koha: ora 9 e darkës. Prindërit janë në kinema. Rafi ka mbetur në shtëpi, nën përkujdesjen e të pakrahasueshmes Rexhina Poper. Ai rri shtrirë me syçkat hapur në krevatin e vogël dhe gjumi nuk e zë dot.

Ndriçimet e rrugës hallakatin ca pamje të frikshme dritë-hijeje në çdo skutë të dhomës. Përjashta uturon stuhija. Era e shkretëtirave sjell herë pas here ulërimat e çakallëve nga larg. Ndodh që të dëgjohet edhe vajtimi ngjethës i një kukuvajke.

Zonja Poper: Fli, Rafiuc! Mbylli, pra, syçkat!

Rafi: S’dua!

Zonja Poper: Të gjithë kalamajtë e mbarë flenë në këtë kohë.

Rafi: Ti je shëmtaraqe!

Zonja Poper: Ke qejf të pish diçka?

Rafi: Akullore.

Zonja Poper: Po të bëhesh çun i urtë e të flesh, do të të jap akullore. A të të rrëfej një përrallë të bukur si atë të djeshmen?

Rafi: Jo! Jo!

Zonja Poper: Po është një përrallë shumë e bukur. Ajo e Kësulëkuqes dhe e Ujkut të lig. Lexo më tej »