Rekuiem për gjyshin tim
Nuk di nga ta nis rrëfimin tim ( kam një pështjellim idesh dhe ndjenjash, saqë as fjalët nuk arrij të gjej ato të duhurat) për atë që dua të shkruaj. Por duhet ta bëj, patjetër, në mos tjetër për të shpenguar shpirtin tim nga një peng, që nuk e dija se e mbartja brenda vetes prej vitesh. E kisha më të lehtë tek i mendoja gjërat, tek i bluaja me vete, se sa t’i hedh në letër.
Ja, pra, pas kaq e kaq kohësh, unë kam rizbuluar gjyshin tim, kam rizbuluar atë pjesë që e njihja në vegjëli, por që duke u rritur, e pata humbur nga sytë dhe, gjer më sot, kishte mbetur nën pluhurin e harresës, ndër ca kuti amballazhi që kushedi ç’funksion kanë pasur dikur, por sot për mua ato shpalosën një thesar të vjetër, të vyer, të mrekullueshëm.
Gjithçka lindi krejt pa dashje, si një trill fëmijësh për të gjetur se s’bën një libër të vjetër udhëtimesh, që dikur e kisha parë dhe lexuar në bibliotekën e gjyshit tim. Sakaq, mendja më shkoi dhe tek biblioteka e tij. S’e kisha parë më qysh pasi ai pati ndërruar jetë, ndoshta dhe ca vjet më pas, por mandej…?! Zura të bëja ca telefonata të ethshme për të pyetur ndër kushërinjtë e mi se ku kishin përfunduar librat e bibliotekës së gjyshit, ajo bibliotekë që për mua kishte qenë si vendi i çudirave dhe unë isha Liza që endesha në botët e Guliverit, të Zhyl Vernit, të Balzakut e të shumë e shumë të tjerëve. Me trishtim dhe zemër të këputur mësova që shumë prej librave kishin humbur, ca i kishin marrë “por ka mbetur dhe një kuti tjetër këtu, po deshe hajde merri”, më thotë kushërira ime. »»