Sot, vërtet është Dita Ndërkombëtare e Përkthyesve, por unë do të doja që në këtë ditë të përkujtoja shumë e shumë përkthyes shqiptarë, të preferuarit e mi, që nga Noli, Petro Zheji, Jusus Vrioni, Vedat Kokona, Klio Evangjeli, Pashko Gjeçi që e bëri Danten, Virgjilin dhe Beatriçen të këndojnë shqip, Ardian Klosi, Mira Meksi, Amik Kasoruho, dhe së fundi, por më i rëndësishmi për mua, më i madhi, Robert Shvarc. Nderimi dhe respekti im shkon për ta, (të më ndjeni, e di që kam harruar shumë të tjerë në këto çaste që po shkruaj) për të gjithë ata njerëz të mençur, që sollën në shqip kryeveprat e letërsisë botërore, që na bënë të ëndërronim tok me “Tre shokët”, na bënë të vuajmë tok me Djaloshin Verter, na shoqëruan skutave të Shkëlqimit dhe mjerimit të kurtizaneve, të njihnim dashurinë dhe çmendurinë e Ofelisë dhe të Hamletit… Lexo më tej »
Jeni duke shfletuar arkivin mujor për Shtator 2009.

Gjethe të vdekura
Lipsia, Shtator 1961
Gjethet që bien ma çjerrin shpirtin përbrenda
sidomos gjethet e rruginave
sidomos në janë gështenja të egra
sidomos në kalojnë vocërrakë
sidomos në qielli është i kaltër
sidomos në kam marrë, atë ditë
një lajm të mirë
sidomos në zemra, atë ditë,
nuk më dhemb
sidomos në besoj, atë ditë,
që ajo që dua më do
sidomos në atë ditë
ndjehem në paqe
me gjindjen dhe me veten
tek shoh gjethet që bien, shpirti më çirret
sidomos gjethet e rruginave
të rruginave të gështenjave të egra.
***
Çka kam shkruar për ne është krejt e gënjeshtërt
Çka kam shkruar për ne është krejt e gënjeshtërt
Është malli im
rritur në një pemë të paarritshme
është etja ime
nxjerrë në dritë nga pusi i ëndrrave të mia
është vizatimi
përvijuar mbi një rreze dielli
çka kam shkruar për ne është krejt e vërtetë
është hiri yt
shportë cit me fruta përmbysur mbi bar
është mungesa jote
kur bëhem drita e fundit në qoshkun e fundit të udhës
është xhelozia ime
kur rend netëve mes trenave me sytë e lidhur
është lumturia ime
lumë i larë në diell që vërshon mbi diga
çka kam shkruar për ne është krejt e gënjeshtërt
çka kam shkruar për ne është krejt e vërtetë.
***
U zhvesha nga ideja e vdekjes
U zhvesha nga ideja e vdekjes
gjethnajën e qershorit ndër rrugina krahëve hodha
ajo e majit qe paksa rinore për mua.
Gjithë një verë më pret gjithë një verë në qytet
me gurët e vet asfaltin përzhitës
me arançatat e veta akullin e vet
me sallat e djersitura të kinemave
aktorët e provincës me zë të plotë
me taksitë e veta që zhduken
në ditët e mëdha të largimeve
me pemët e tij në parkun Hermitazh
që si kuinta prej letre ngjajnë
nën dritën e neoneve
ndoshta me këngët meksikane ose me tamtamët e Ganës
me poezitë që do të lexoj në ballkon
dhe me flokët e tu paksa të shkurtuar.
Gjithë një verë në qytet më pret
gjethnajën e qershorit ndër rrugina krahëve hodha
u zhvesha nga ideja e vdekjes.
***
Ditët janë gjithnjë e më të shkurta
Ditët janë gjithnjë e më të shkurtra
do të fillojnë shirat.
Porta ime t’ka pritur, flegër më flegër çelur.
Pse vonove kaq shumë?
Mbi tryezën time, ca speca jeshilë, kripë, pak bukë.
Verën që kisha ruajtur në kanë
e kam pirë përgjysmë, vetëm, duke pritur.
Pse vonove kaq shumë?
Por ja, mbi degë, të arrira, të thella
ca fryte rënduar nga mjalti.
Po rrëzoheshin pa u vjelë
Po t’ishe vonuar dhe pak
Përktheu: A.Baro
