30 shtatori - Dita Ndërkombëtare e Përkthyesve
Sot, vërtet është Dita Ndërkombëtare e Përkthyesve, por unë do të doja që në këtë ditë të përkujtoja shumë e shumë përkthyes shqiptarë, të preferuarit e mi, që nga Noli, Petro Zheji, Jusus Vrioni, Vedat Kokona, Klio Evangjeli, Pashko Gjeçi që e bëri Danten, Virgjilin dhe Beatriçen të këndojnë shqip, Ardian Klosi, Mira Meksi, Amik Kasoruho, dhe së fundi, por më i rëndësishmi për mua, më i madhi, Robert Shvarc. Nderimi dhe respekti im shkon për ta, (të më ndjeni, e di që kam harruar shumë të tjerë në këto çaste që po shkruaj) për të gjithë ata njerëz të mençur, që sollën në shqip kryeveprat e letërsisë botërore, që na bënë të ëndërronim tok me “Tre shokët”, na bënë të vuajmë tok me Djaloshin Verter, na shoqëruan skutave të Shkëlqimit dhe mjerimit të kurtizaneve, të njihnim dashurinë dhe çmendurinë e Ofelisë dhe të Hamletit…
Mund të vazhdoja pa fund, por fjalët e mia janë të vakëta për të shprehur mirënjohjen time si lexuese dhe, nuk e di, në mund ta quaj veten kështu, si përkthyese.
Herë-herë, ndjej se i jam futur detit më këmbë, e armatosur vetëm me pasionin, dashurinë, vullnetin dhe këmbënguljen time për letërsinë dhe përkthimin. Nuk e di se ku do të më shpjerë kjo udhë, ndoshta një ditë dhe mund të dorëzohem, por shpresoj vetëm që në fund të fundit, të vazhdoj të bëj diçka që vërtet e dua, dhe mbi të gjitha ta bëj mirë.
Dy poezi
Nuk po mendoj për asgjë - Fernando Pessoa
Nuk po mendoj për asgjë,
dhe kjo gjë qendrore, që në vetvete nuk është asgjë
më këndell, si ajrì mbrëmjesore,
e freskët n’krahasim me verën e nxehtë të ditës.
Sa bukur, nuk po mendoj për asgjë!
Të mos mendosh për asgjë
është si të kesh shpirtin të plotë e të pacënuar.
Të mos mendosh për asgjë
është si të jetosh ngushtësisht
baticën dhe zbaticën e jetës…
Nuk po mendoj për asgjë.
Më ngjan sikur jam mbështetur keq.
Një dhimbje në shpinë a në brinjë,
një shije e hidhur në gojën e shpirtit tim:
ngase, tek e mbramja,
nuk po mendoj për asgjë,
përnjëmend për asgjë,
për asgjë…
***
E shkuara - Emily Dickinson
Është një krijesë e çuditshme e shkuara
dhe tek e sheh në sy
mund t’i avitesh ngazëllimit
ose dëshpërimit.
Nëse dikë e ndesh të çarmatosur,
vrik, i thërras, merr arratinë!
Ato municionet e saj të ndryshkuara,
Ende mund të vrasin!
Përktheu nga italishtja: A.Baro
Shtator 30th, 2009 më 7:37 am
Pershendetje Aida,
gezuar diten tende! Nderim per gjithe te medhenjte qe na bene te qeshim e te qajme shqip, sidomos per te paharrueshmin Shvarc.
Ndoshta vertet i je futur detit ne kembe. Dhe ka te ngjare edhe te mos e gjesh dot ishullin tend te Kurrkundit. Por, per sa kohe ndjek pasionin tend, nuk do gjendesh kurre ne breg te nje pellgu duke pyetur veten “Po sikur…?”
Faleminderit qe me dhurove pak minuta gjithe ngjyre mes nje dite te vranet,
Erion.
Shtator 30th, 2009 më 8:52 am
Erion,
pershendetje dhe faleminderit. Me vjen mire qe kam ndryshuar sadopak diten tende.
Perzemersisht,
Aida
Tetor 1st, 2009 më 1:13 am
Punë të mbarë dhe gjithnjë të mbushur me pasion gjithë përkthyesve… e në veçanti ty Aida!
Edhe 100 të tjerë!
Tetor 1st, 2009 më 3:30 am
Edrus,
Faleminderit per te gjitha urimet.