Portreti vezak
Nga Edgar Allan Poe
Kështjella ku shërbëtori im kish guxuar të hynte me forcë, për të mos lejuar që unë, ashtu i plagosur rëndë siç isha, ta kaloja natën në qiell të hapur, qe një prej atyre ngrehinave ku përzjehej trishtimi dhe shkëlqimi, që për një kohë të gjatë kanë qenë një prani e zymtë mes Apeninesh, jo më pak në realitet, se sa në fantazinë e zonjës Redklif. Me sa dukej, kështjella qe braktisur kohët e fundit dhe përkohësisht. Ne u vendosëm në një prej dhomave më të vogla e të mobiluara me më pak salltanete. Ajo gjendej në një kullëz të largët të ndërtesës. Qe stolisur me ornamente të shumta, por ato qenë të rrënuara dhe të vjetra. Muret qenë veshur me sixhade dhe zbukuruar me trofe të shumta heraldike e larmitrajtash, si dhe me një numër jashtëzakonisht të madh tabllosh moderne tepër të gjalla, futur në korniza të gdhendura prej ari. Për këto piktura, që vareshin jo vetëm në sipërfaqet kryesore të mureve, por dhe në shumë prej skutave më të fshehta që arkitektura e çuditshme e kështjellës kishte sajuar – për këto tabllo, pra, ndoshta entuziazmi im paraprak më kishte shtyrë të ndjeja një interesim të thellë; kësisoj, e urdhërova Pedron të mbyllte kanatet e drunjta të dritareve të dhomës, meqënëse tashmë qe errur, të ndizte qirinjtë e një shandani që gjendej tek koka e shtratit tim dhe të çelte krejt kortinkat e zeza të kadifenjta, të zbukuara me thekë, që fshtillnin dhe vetë shtratin. I dëshiroja të gjitha këto për t’u lëshuar, në mos në krahët e gjumit, të paktën, këmbyerazi, herë në soditjen e këtyre tabllove, herë në leximin e vëmendshëm të një libërthi, që e kisha gjetur mbi nënkresë e që paraqiste mendime kritike dhe përshkrime të tyre.