Kjo dashuri

Jackues Prevert

 

Kjo dashuri
Kaq e furishme
Kaq e brishtë
Kaq e butë
Kaq e dëshpëruar
Kjo dashuri
E bukur si dita
E keqe si moti
Kur moti është i keq
Kjo dashuri kaq e njëmendtë
Kjo dashuri kaq e bukur
Kaq e lumtur
Kaq e hareshme
Kaq qesharake
që dridhet nga frika si një fëmijë në terr
dhe kaq e sigurt në vetvete
si një burrë i qetë në zemër të natës
kjo dashuri që iu kallte frikën
të tjerëve
e i bënte të flisnin e të zbeheshin
Kjo dashuri që sytë s’ia ndanin
Sepse ne s’ia ndanim sytë
E përndjekur, e plagosur, e shkelur, e vrarë, e mohuar, e harruar
Sepse ne e përndoqëm, e plagosëm, e shkelëm, e vramë, e mohuam, e harruam
Kjo dashuri kaq e plotë
Kaq e gjallë ende
Dhe e puthur nga dielli.
Është dashuria jote
Është dashuria ime
Ajo çka ka qenë
Kjo diçka ngaherë e re
Që kurrë s’ka ndryshuar
E njëmendtë si një lule
Drithëruese si një zog
E nxehtë, e gjallë si behari
Si ti, si unë mund
Të shkojmë e të kthehemi, mund
Të harrojmë
E mandej sërish në gjumë të biem
Të zgjohemi, të vuajmë, të plakemi
Sërish të flemë
Vdekjen t’ëndërrojmë
Të rinohemi
Dhe zgjuar të buzëqeshim, të qeshim. Dashuria jonë është aty,
Kokëfortë si një mushkë
E gjallë si dëshira
Mizore si mbamendja
Budallaqe si pendimet
E butë si kujtimet
E ftohtë si mermeri
E bukur si dita
E brishtë si një ferishte
Na vështron buzagaz
Na flet pa fjalë
Dhe unë mbaj vesh duke u dridhur
Dhe thërras
Thërras për ty
Thërras për vete
Të përgjërohem
Për ty, për mua, për të gjithë ata që dashurohen
Dhe që janë dashuruar
Oh, po, i thërras
Për ty, për mua, për gjithë të tjerët
Që nuk i njoh.
QËndro aty ku je
Mos ik
Qëndro aty ku ishe dikur
Mos lëviz
Mos ik
Ne që jemi dashuruar, ne të kemi
Harruar
Ti mos na harro
Veç ty të kishim mbi dhè
Mos na lër të ngrijmë zemrash
Ndonëse larg, gjithnjë e më larg
Na jep një shenjëz jete
Shumë më vonë, në anë të një pylli
Mes pyllit të mbamendjes
Vrik ngrihu
Zgjatna dorën
E na shpëto.
***
Përktheu nga italishtja: A.Baro
Publikuar në Letërsi, Poezi, Përkthime | më 9 Tetor 2009 |

1 Koment

  1. edrus thotë:

    Fantastike edhe kënga e re e Noemi-t me Manoia-n
    http://www.youtube.com/watch?v=BgVEZpo4MgA&feature=player_embedded

Shkruaj një koment



Duhet të jesh i/e identifikuar për të komentuar.