MIGJENI

Përkujtesë datëlindore

PESHA E FATIT

Na shtypi fati e na bani krymba
ne kensit dykambësh që zbuluem hy’n
edhe aq ma tepër e ngatërruem ny’n…
shpirtënt tonë skyftera deshen të bahen pëllumba.
***
(Rrini mor skyftera! Pse të baheni pëllumba?
Mizat e parajsit në jetën mbrapa vorrit
kanë me iu mërzitun - dhe mandej prej zorit
do të pëlcisni… Prandej: pse të baheni pëllumba?)
***
Fat i ynë mizor - shpatë e Damokleut.
Si vall! Të gjitha përpjekjet na dështuen në terr?
E jeta na bahet ma zi se skëterrë.
Të vërtetat, as rrenat, s’i ndihmuen Dheut.
***
Të vërtetat dhe rrenat? - Xhevahirët e çmuem.
Me ta kur të duesh e shet dhe e blen botën.
Por mos mendo se me ta do t’ia ndreqish rrotën…
Jo se i pëlqen jetëçalë me shkuem.
***
Me çalue n’anë të djathtë, me çalue n’anë të majtë…
Si paljaço i gjorë që kah t’ia mbajë s’di,
mbasi kambën e theu n’akrobaci -
jet’ e tij asht helm pa asnjë pikë mjaltë.
***
NJË NATË
Grue a hyjneshë, e mbështjellun n’errsi të natës,
zbriti nga sfera të panjoftuna ndër odat e mia
dhe u shtrue një fllad, një e kandshme ndjesi,
një heshtje parathanse zemrën don të më përpijë.
Vetëm që ora këndon kangën e thjeshtë të natës
-jo -jo! dhe diku larg dëgjohen tingujt e kangës.
Grue a hyjneshë m’erdhi nga gjini i errsinës…
Qe’! frymën ia ndjej dhe zemrën që rreh prej fellsinës.
Buzët e njoma të saj,
Syt e zez e të mdhaj
me harmoni vijash të bindshme
premtojnë një dashni të hijshme
(ashtu dhe akordi i heshtjes
frytin e ambël të marrveshjes)
Dhe njëmend! At nat vallëzuen ndjesit e jona
më një valle dëfryese, pa marrun frymë…
Publikuar në Ditar, Letërsi, Poezi | më 13 Tetor 2009 |

Shkruaj një koment



Duhet të jesh i/e identifikuar për të komentuar.