Portreti vezak

Nga Edgar Allan Poe

 

Kështjella ku shërbëtori im kish guxuar të hynte me forcë, për të mos lejuar që unë, ashtu i plagosur rëndë siç isha, ta kaloja natën në qiell të hapur, qe një prej atyre ngrehinave ku përzjehej trishtimi dhe shkëlqimi, që për një kohë të gjatë kanë qenë një prani e zymtë mes Apeninesh, jo më pak në realitet, se sa në fantazinë e zonjës Redklif. Me sa dukej, kështjella qe braktisur kohët e fundit dhe përkohësisht. Ne u vendosëm në një prej dhomave më të vogla e të mobiluara me më pak salltanete. Ajo gjendej në një kullëz të largët të ndërtesës. Qe stolisur me ornamente të shumta, por ato qenë të rrënuara dhe të vjetra. Muret qenë veshur me sixhade dhe zbukuruar me trofe të shumta heraldike e larmitrajtash, si dhe me një numër jashtëzakonisht të madh tabllosh moderne tepër të gjalla, futur në korniza të gdhendura prej ari. Për këto piktura, që vareshin jo vetëm në sipërfaqet kryesore të mureve, por dhe në shumë prej skutave më të fshehta që arkitektura e çuditshme e kështjellës kishte sajuar – për këto tabllo, pra, ndoshta entuziazmi im paraprak më kishte shtyrë të ndjeja një interesim të thellë; kësisoj, e urdhërova Pedron të mbyllte kanatet e drunjta të dritareve të dhomës, meqënëse tashmë qe errur, të ndizte qirinjtë e një shandani që gjendej tek koka e shtratit tim dhe të çelte krejt kortinkat e zeza të kadifenjta, të zbukuara me thekë, që fshtillnin dhe vetë shtratin. I dëshiroja të gjitha këto për t’u lëshuar, në mos në krahët e gjumit, të paktën, këmbyerazi, herë në soditjen e këtyre tabllove, herë në leximin e vëmendshëm të një libërthi, që e kisha gjetur mbi nënkresë e që paraqiste mendime kritike dhe përshkrime të tyre.

 

Lexova për një kohë të gjatë, - për një kohë të gjatë, dhe me përkushtim, me përshpirtshmëri, sodita sërish tabllotë. Orët fluturuan të shpejta e të magjishme dhe ia mbërriti mesnata e terrtë. Pozicioni i shandanit nuk më pëlqente dhe, në vend që të shqetësoja gjumin e shërbëtorin tim, zgjata dorën me vështirësi dhe e vendosa shandanin në mënyrë të atillë që drita t’i hidhte më mirë rrezet e saj mbi libër.

 

Por ky veprim shkaktoi një pasojë krejt të papritur. Dritat e qirinjve të panumërt (kishte shumë syresh) tash kishin shkuar e binin mbi një qoshk të dhomës, që gjer në atë çast kishte qenë në hije të plotë për shkak të një kolone të shtratit. Kësisoj, pashë të larë në dritë një tabllo që më parë më kishte kaluar krejt pa u vënë re. Ishte portreti i një vashe të re, thuajse në prag të shndërrimit në grua. I hodha një vështrim fluturimthi tabllosë dhe mandej mbylla sytë. Pse e bëra këtë, as vetë nuk e pata të qartë në krye. Por teksa qepallat e mia qëndronin mbyllur, shqyrtova rrëmbimthi në mendje arsyet se pse i mbaja mbyllur. Kish qenë një veprim i vetvetishëm për të fituar kohë dhe për të menduar – për të qenë i sigurt që shikimi nuk më kish gënjyer – për të qetuar e shtruar fantazinë time e për ta shtyrë drejt një soditjeje më të qetë e të sigurt. Pas shumë pak çastesh, ia ngula sërish vështrimin tabllosë.

 

Që tash po shihja qartazi nuk mundesha dhe as nuk doja të dyshoja, ngase shkëndija e parë e qirinjve mbi atë pëlhurë dukej se e kish davaritur çudinë e ëndrrës që kish kapur në befasi vetëdijen time, për të më rikthyer beftazi në jetën e njëmendtë.

 

Portreti, siç e kam thënë, ishte ai i një vashe. Paraqiste vetëm kokën dhe supet, në atë stil që zakonisht quhet vignette; shumë e ngjashme me stilin e kokave të parapëlqyera nga Salli*. Krahët, kraharori, e madje dhe rrëzat e flokëve rrëzëllitës shkriheshin në një mënyrë thuajse të pakapshme në hijen e vagullt, por të thellë që formonte sfondin e tërësisë së tabllosë. Korniza ish vezake, e punuar me filigramë sipas stilit mauresk, krejt e larë në ar. Si objekt arti, asgjë s’mund të ish më e mrekullueshme se vetë piktura. Por nuk mund të kish qenë as ekzekutimi i veprës, as bukuria e pavdekshme e fytyrës, që më kishin mallëngjyer kaq egërsisht dhe befasisht. Aq më pak, nuk mund të kish qenë fakti që fantazia ime, e shkundur nga dremitja, ta kishte ngatërruar kokën për atë të një njeriu të gjallë. E kuptova sakaq që veçoritë e vizatimit, të portretit me sfumaturë, dhe të kornizës do ta kishin davaritur sa çel e mbyll sytë një iluzion të atillë – madje përkundrazi, do të më kishin penguar t’i nënshtrohesha qoftë edhe për një çast atij. Duke i bluar gjatë e gjerë të gjitha këto mëdyshje, qëndrova, ndoshta një orë, gjysmë ulur, gjysmë shtrirë, me sytë e ngulur mbi portret. Më së fundi, i kënaqur nga sekreti i vërtetë i efektit të saj, u lëshova krejtësisht mbi shtrat. Kisha zbuluar që bukuria e tabllosë rridhte nga dukuria që tablloja përngjasonte krejt e besnikërisht si të ish e gjallë, gjë që në krye më kish habitur, së fundi pështjelluar, rrëmbyer e frikësuar. Me një drojë të thellë dhe plot respekt e vendosa sërish shandanin në pozicionin e mëparshëm. Kësisoj, me të larguar nga këndvështrimi shkakun e tronditjes sime të thellë, kërkova ethshëm libërthin që fliste për pikturat dhe historinë e tyre. Me të mbërritur tek numri që tregonte portretin vezak, lexova fjalët vegimtare dhe të çuditshme që vijojnë:

 

“Ish një vashë me bukuri të rrallë , po aq e ëmbël, sa dhe plot gjallëri e hare. Dhe kobzi qe çasti kur pa, dashuroi dhe u martua me piktorin. Ai, njeri plot pasione, studiues i zellshëm, hijerëndë, e tashmë i martuar me Artin e vet, ajo, një çupë me bukuri të rrallë, po aq e ëmbël, sa dhe plot gjallëri e hare; rrezatonte dritë e buzëqeshje, dhe ish e gjallë si drenushë; dashuronte dhe jepej me mish e me shpirt pas çdo gjëje; veç Artin e urrente, se shemër e kish; veç paletën, penelat dhe gjithë mjetet e tjera të pakëndshme s’i honepste dot se nga sytë e të shtrenjtit të saj e mërgonin. Kësisoj, pra, qe e tmerrshme për këtë grua të dëgjonte piktorin të fliste për dëshirën që e kish kapluar për të pikturuar dhe nusen e tij të re. Por ishte kokëulur dhe e bindur ajo, andaj pozoi për shumë orë pa kundërshtuar në dhomën e errët e të lartë – në kullëzën ku drita derdhej mbi pëlhurën e bardhë vetëm nga lart. Por ai, piktori, lëvdohej veç me veprën e vet që përparonte orë pas ore, ditë pas dite. Ish njeri i apasionuar, vesves, i përhënur, që ëndërronte me sy hapur; aq sa nuk donte t’i binte më të se drita që binte krejt e zbehtë në atë kullëz të vetmuar po ia shkrehte shëndetin dhe gjallërinë nuses së tij, që po ligej dita-ditës në sy të të gjithëve, përveçse për sytë e tij. Sidoqoftë, ajo buzëqeshte ende e ngaherë, pa u ankuar, ngase e shihte që piktorit (ish piktor në zë ai) i jepte kënaqësi të madhe e të zjarrtë puna e tij, dhe punonte natë e ditë për të pikturuar portretin e asaj, që aq shumë e dashuronte piktorin, por që dita-ditës po shuhej e po molisej çdoherë e më shumë. Dhe me thënë të drejtën, kushdo që sodiste portretin fliste si nën zë për ngjashmërinë, si për një mrekulli të jashtëzakonshme, si për një dëshmi jo vetëm të aftësisë së piktorit, por edhe të dashurisë së thellë për atë, që ai po pikturonte në mënyrë krejt të pakrasueshme. Por në fund, teksa vepra i avitej përfundimit, askush nuk u lejua të hynte më në kullë; piktori, tashmë i përpirë marrëzisht nga vepra e vet, rrallë e më rrallë i hiqte sytë nga kanavaca, qoftë dhe vetëm për të parë fytyrën e nuses. Dhe nuk donte t’i binte më të që ngjyrat që shtronte mbi kanavacë, zhvoshkeshin nga mollëzat e asaj që i qëndronte pranë. Dhe kur patën kaluar shumë javë, dhe s’patën mbetur veçse pak gjëra për t’u bërë, një penelatë tek buzët dhe një hije e lehtë mbi sy, shpirti i gruas u luhat edhe një herë si flaka në grykë të shandanit. Dhe atëbotë, penelata u shtrua, dhe hija u vendos; dhe për një çast, piktori mbeti i ngazëllyer përpara veprës që kishte nxjerrë nga duart; por një hop më vonë, sërish i përhumbur në soditjen e portretit, e kapluan ethet, dhe shumë i zbehtë, dhe i lebetitur, duke britur me një zë të fuqishëm: “Kjo përnjëmend është Jeta vetë!” u kthye beftazi për të vështruar të shtrenjtën e tij: Ajo kishte vdekur!”

*Thomas Sully – piktor amerikan

 

Përktheu nga italishtja: A. Baro

 

 

 

 

 

 

 

 

Publikuar në Letërsi, Përkthime | më 27 Tetor 2009 |

Shkruaj një koment



Duhet të jesh i/e identifikuar për të komentuar.