Rubajit e dashurisë

Nga Omar Khajam

Shqipëruar nga Fan Noli

Botim i vitit 1943

Rubajit e Dashurisë

 

Fito një zëmër, puth-e dhe rrëmbeje,

edhe adhuroje si Alltar prej Feje;

Një qint Qabera, s’vlejnë sa një zëmër;

Zëmër kërko, Haxhi, jo Gur Qabeje.

O ti, mi Dhé m’ e zgjedhura Selvì,

M’e shtrenjtë je se shpirti e syt’e mi:

Gjë më të çmuar se sa Jeta s’ka;

M’e çmuar një qint herë më je ti!

***

Zefire, fryre, syri im të pá,

nga gjoksi zëmra m’iku dhe më la

dhe dyke fluturuar pas të rá:

Banesën sot në gjoksin t’ënt e ka.

***

Kush në Gërmadhen të ka prurë, kush?

Kush t’a çfaqur natën nurë, kush?

Kush të ka fryrë të më ndezësh furrë

nga Dashuria të sëmurë, kush?

………………………………………….

Rënkonj e psherëtinj se s’të kam pranë,

M’u-çuar zëmra, vojtjet mënt s’më lanë,

Askujt s’ia qanj dot hallin, djall’o pun:

Vrer mjalt’ e flagë-ves’ e qjell-hapsanë

***

Nga hidhërim’i ndarjes jam përpirë,

sa e sa herë zëmra m’është grirë:

Ty natën të kujtonj e psherëtinj,

Nga malli digjem, si qiri kam shkrirë…

 

Publikuar në Letërsi, Poezi | më 3 Dhjetor 2009 |

Shkruaj një koment



Duhet të jesh i/e identifikuar për të komentuar.