Nga Dino Buzzatti
I zymtë dhe harkmprehtë është pallati i lashtë i peshkopëve, mureve të tij pikon igrasi, dhe qëndrimi aty në netët e dimrit është një torturë e njëmendtë. Edhe katedralja ngjitur me të është e stërmadhe, gjithë një jetë nuk mjafton t’i biesh aneqark nga kreu në fund, madje atje ka një aso kapërthimi kapelash dhe sakrestish ku pas shekujsh braktisjeje, do syresh kanë mbetur ende thuajse të pazbuluara. Ç’do të bëjë mbrëmjen e Kërshëndellave – pyesim vetiu - kryepeshkopi i hajthëm, fillthi vetëm, ndërsa gjithë qyteti feston? Si do ta mundë, vallë, trishtimin e shpirtit? Gjithsekush e ka nga një ngushëllim: vocërraku ka trenin dhe pinokun, motërza ka kukullën, mëma ka të vegjlit rrotull, i sëmuri një shpresë të re, beqari plak mikun e azdisjeve, i burgosuri zërin e një tjetri në qelinë pranë. Po kryepeshkopi ynë si do t’ia bëjë, vallë? Buzëqeshte i zellshmi dom Valentini, ndihmësi i shkëlqesisë së tij, tek dëgjonte gjindjen të fliste kësisoj. Kryepeshkopi ka Zotin, mbrëmjen e Kërshëndellave. I përgjunjur, fillthi vetëm në mes të katedrales së akullt e të shkretë, në sy të parë mend të këput shpirtin, por veç ta dini, se! Ai s’është aspak fillikat vetëm, dhe as të ftohtë nuk ka, as i braktisur nuk ndjehet. Në mbrëmjen e Kërshëndellave, Zoti vërshon në tempull, për kryepeshkopin, anijatat grafullojnë nga prania e tij, në kuptimin e vërtetë të fjalës, aq sa portat mezi mbyllen; e, ndonëse nuk ka as stufa, bën aq ngrohtë saqë bollat e bardha e të vjetra rizgjohen në varret e abatëve pararendës dhe ngjiten përmes vrimave të ajrit të bimsave, duke nxjerrë hijshëm kokën nga drushtat e rrëfyestoreve. Lexo më tej »
