Ditar

Jeni duke shfletuar arkivin për kategorinë Ditar.

(Ditar intim)

Nga Lasgush Poradeci

Pogradec, 18 qershor 1978

 

Sot mbrëmave, si nga ora 8 erdhi zonjusha Ana për të parën herë në odiçkën t’ime të Kullës në katin e tretë. Mori të kopiojë në shtëpi të saj poezinë, që më ka kushtuar Petraq Kolevica dhe që ma solli Petraqi më 28 Prill 1978 në Tiranë mbrëmave për apotezimin e Kamadevas ( duke më thënë në këtë poezi “Ravvi”.)

 

 

 

Poradec, e shtunë 24 qershor 1978

 

Sot nga ora 4 pas mesdite ardhi në shtëpinë time në dhomën e poshtme të katit të dytë Zonjusha Ana. Më gjeti dyke ngrënë drekë, kisha një copë sallam prej atij më të lirit, sallam i keq prej mbeturinave të mishit, prej buburrecave dhe damarëve të mishit të derrit, sallam që e blejnë fukarenjtë, ata të cilët tashi janë në shtërngim ekonomik. Kisha edhe rrotullamka kungulleshkash të thekura me vaj kikiriku, jo me vaj ulliri se kikiriku është më i lirë se ulliri, veç që ka një erë të papëlqyer, erë të paduruar. Po unë që jam I vojtur në tërë jetën time, që kam mbetur pa baba kur isha 16 vjeçar, e duroj këtë erë, erë kikiriku. Kisha ngrënë 1/3 e drekës kur ardhi Ana e mërekulluarshme, femra e re e mërekulluarshme për gjithë Poradecin, jo vetëm për mua… E ndërpreva drekën kur hyri e letë e qeshur me hap të shpejtë edhe të pandjerë. Ana, i thashë, kam mbaruar, i thashë kështu nga gëzimi që më ardhi, sepse në atë kohë s’më kish ardhur ndonjëherë. E futa gjellën në dollap menjëherë, nuk më la gëzimi t’a vazhdoj drekën prandaj i thashë Anës “kam mbaruar”. U fjalosëm me shumë ëndje sindonja 1 orë e ¼ dhe vajtmë lart në katin e III-të, në odiçkën e kullës sime ku punoj unë. Atje folmë me shumë dashuri për shumë gjëra tonat, për poezi dhe kritikë letrare, për filozofi e kulturë, për gjëra biografike të mijat për të cilat ajo me një dashuri për Lasgushin, me një zell, me një këmbëngulje, me një durim edhe me një lutje të madhe, zell të madh e të padëshpëruarsëm të saj – për të cilat ajo mua gjithnjë më kërkon, më lyp, më shtyn t’i jap, më ngacmon t’i jap, më detyron t’i jap, t’i jap, t’i jap çdo gjë gjithnjë t’i jap prej gojës sime, prej jetës sime, ngjarjeve të mija, prej arkivit tim. Sapo unë zë të flas ajo që më shkruan zë shënon, shkruan shpejt e shpejt, shumë shpejt, shumë shpejt, shkruan, aq shpejt, sikur t’ishte stenografiste. “Lër-i shënimet” i them, “lër-i këto”, “dëgjo bashkëfjalimin, dëgjo këto që flasim, që bisedojmë, jeta s’është gjë, asgjë, veç arti na kënaq, veç kënaqësitë spirituale kënaqin, na kënaqin neve që jemi intelektualë, veç gëzimi spiritual na mbetet, veç ay na ngushëllon nga të zezat e jetës, të kësaj jete. Do t’i lesh, do punosh që marri shënime, apo të të puth prapë në të dyja faqet, do t’i lësh apo – e shëkon apo jo do të të puth në buzë në gojë, kupton apo jo?” “Puthmë si të duash, unë nuk dëgjoj!” thotë, dhe kështu unë s’kam ç’bëj, kështu ajo më bind, më bën për vete, për veten e saj, më bën të bëj ç’thotë ajo. ç’far femër e mërekulluarshme, e mërekulluarshme për mua, ç’është kjo tërheqja e saj kaq e madhe për mua, kaq e pakundërshtuar prej meje. Kështu dyke folur unë, dyke folur ajo – ç’ngjau? Ngjavi që Ana, dyke parë këtë atje, dyke vënë re ç’do gjë, çdo hollësirë, çdo “sekret” që vëren në odiçkën time të kullës – dyke ngarë kështu me duart e saj të paqetësuarshme për punët e odiçkës: shtiri sytë, ato syçka aq të bukura, aq inteligjente, aq shumë “vërejtëse”, skrutonjëse, aq skruatotore për sendet e “mija” dhe e tërhoqi një fletë imja shumë e hollë, e hollë si fletë cigari; m’i të cilën fletë unë kisha shënuar nja katër a pesë radhë sekrete ( ato më sekretisimet të ngjarjeve të mija me Niqkën), radhë sekrete si nata, përmbajtjen e të cilave asnjeri gjer më sot s’ka ditur, s’mund t’ia dinte s’e dinte dot. Ana e mori atë fletë cigare, unë s’e lashë, ia mora prej duarve, ajo s’ma jepte, më lutej me 1 000 lutje t’a kopjojë, s’e lejonja, me 1 000 kundërshtime të mijat, nuk e lejonja, mos i thashë se… të putha në gojë!” “bë’më ç’të duash” tha, “unë do t’a kopjoj”, dhe e lashë, po kjo femër e lartë, e re, e hollë, elegante, bardhoshe, me fytyrën ovale, gjithnjë e buzëqeshur, më rrobërovi me këmbënguljen e saj, me insistencën e saj, me persistencën e saj dhe… nuk e ndalova dot më që ta kopjojë atë shënim timin mbi atë fletë cigare aq të hollë ku rastësisht kisha shënuar për një punë mementoje timën. (vijojnë fjalët)

 

Jo vetëm që e kopiovi Ana këtë shënim timin ( siç shënova këtu më lart më 24 Qershor), po Ana hapi edhe baullën time prej lëkure, ku unë ruaj gjërat më të shtrenjta dhe më të shenjta të dashurisë sime ne Niqkën, e hapi ajo baullën dhe mori, nxori prej baullës të parin Dosar ( boj kafe e çelur) ( më të sipërmin) dhe atë e mori për në shtëpinë e saj, që ta lexojë në shtëpinë e saj, se ora në odiçkë është bërë 9 e ½ e natës. S’e lashë t’a marrë, me 1 000 kundërshtime, me 1 000 të lutura, s’e linja t’a marrë t’a lexojë, por edhe Ana me mijra kundërshtime e mor, më mundi, dashurija e saj për mua, adhurimi i saj për Lasgushin, tërheqja e saj shpirtërore e parezistueshme për mua. Unë nuk desh t’a le t’a marrë Ana atë Dosar, se atje kam – përveç të tjerave – kopjen e pastër të ditarëve të mij me Niqkën, kopjen e kam nxjerrë prej ditarëve të mij lakonikë, e kam nxjerrë pastër, me bojë shkrimi, prej ditarëve, jo kopjen e ditarëve, por veç 222 faqe, të shkrojtura pastër me bojë. Kopje me bojë shkrimi është bërë prej meje inextenso, e kam bërë in –extenso në bazë të ditarëve të ndryshmë lakonikë. Kjo kopje ka 222 faqe, prej faqes 1 gjer në faqen 222. kopja është fragmentare, dmth. nuk përmban tërë shënimet e mija për Niqkën dhe për mua, të cilat jam duke i bërë in-extenso. S’i kam bërë të tëra in-extenso, sepse s’kam patur kohë, shpresoj t’i mbaroj të tëra simvjet këtu në Pogradec, gjer nga Tetor 1978. Ajo kopje që mori zonjusha Anë ka titullin ( po e nënvizoj sot me të kuq)

 

Shënim: Faqja 222 ( e kopjes që mori Ana) është tekstualisht kjo (që e nënvizoj sot me të kuq) Karneti N. III ( 1938)

 

(E hënë 27 qershor 1938) Tiranë, ora 9.15, mëngjes, u nisa me aeroplan për në Korçë. Ora 10.25, në Korçë, më priti Niqka përpara zyrës së aeroplanëve. Mbrëmave, ora 8.50, I vura Niqkës në krahun e djathtë bylezikun me 15 diamante. Ora 10.1 pas mesnate, përkëdheljet dhe puthjet e dashura me Niqkën në shtrat dhe dysheme.

 

(Radhori N.XI. 1938) Pjekja ime me Niqkën në Korçë 27 Qershor 1938, e Hënë. Dosarin bojë kafe; të cilin e mori sot më 24 Qershor Ana nga ora 9 e natës prej baullës së lëkurtë që të lexojë përmbajtjen e tij (siç më tha), m’a solli të nesërmen (siç më tha kur e mori) e Djelë 25 Qershor)

- vijon -

MIGJENI

Përkujtesë datëlindore

PESHA E FATIT

Na shtypi fati e na bani krymba
ne kensit dykambësh që zbuluem hy’n
edhe aq ma tepër e ngatërruem ny’n…
shpirtënt tonë skyftera deshen të bahen pëllumba.
***
(Rrini mor skyftera! Pse të baheni pëllumba?
Mizat e parajsit në jetën mbrapa vorrit
kanë me iu mërzitun - dhe mandej prej zorit
do të pëlcisni… Prandej: pse të baheni pëllumba?)
***
Fat i ynë mizor - shpatë e Damokleut.
Si vall! Të gjitha përpjekjet na dështuen në terr?
E jeta na bahet ma zi se skëterrë.
Të vërtetat, as rrenat, s’i ndihmuen Dheut.
***
Të vërtetat dhe rrenat? - Xhevahirët e çmuem.
Me ta kur të duesh e shet dhe e blen botën.
Por mos mendo se me ta do t’ia ndreqish rrotën…
Jo se i pëlqen jetëçalë me shkuem.
***
Me çalue n’anë të djathtë, me çalue n’anë të majtë…
Si paljaço i gjorë që kah t’ia mbajë s’di,
mbasi kambën e theu n’akrobaci -
jet’ e tij asht helm pa asnjë pikë mjaltë.
***
NJË NATË
Grue a hyjneshë, e mbështjellun n’errsi të natës,
zbriti nga sfera të panjoftuna ndër odat e mia
dhe u shtrue një fllad, një e kandshme ndjesi,
një heshtje parathanse zemrën don të më përpijë.
Vetëm që ora këndon kangën e thjeshtë të natës
-jo -jo! dhe diku larg dëgjohen tingujt e kangës.
Grue a hyjneshë m’erdhi nga gjini i errsinës…
Qe’! frymën ia ndjej dhe zemrën që rreh prej fellsinës.
Buzët e njoma të saj,
Syt e zez e të mdhaj
me harmoni vijash të bindshme
premtojnë një dashni të hijshme
(ashtu dhe akordi i heshtjes
frytin e ambël të marrveshjes)
Dhe njëmend! At nat vallëzuen ndjesit e jona
më një valle dëfryese, pa marrun frymë…

Sot, vërtet është Dita Ndërkombëtare e Përkthyesve, por unë do të doja që në këtë ditë të përkujtoja shumë e shumë përkthyes shqiptarë, të preferuarit e mi, që nga Noli, Petro Zheji, Jusus Vrioni, Vedat Kokona, Klio Evangjeli, Pashko Gjeçi që e bëri Danten, Virgjilin dhe Beatriçen të këndojnë shqip, Ardian Klosi, Mira Meksi, Amik Kasoruho, dhe së fundi, por më i rëndësishmi për mua, më i madhi, Robert Shvarc. Nderimi dhe respekti im shkon për ta, (të më ndjeni, e di që kam harruar shumë të tjerë në këto çaste që po shkruaj) për të gjithë ata njerëz të mençur, që sollën në shqip kryeveprat e letërsisë botërore, që na bënë të ëndërronim tok me “Tre shokët”, na bënë të vuajmë tok me Djaloshin Verter, na shoqëruan skutave të Shkëlqimit dhe mjerimit të kurtizaneve, të njihnim dashurinë dhe çmendurinë e Ofelisë dhe të Hamletit… Lexo më tej »

Shfletim jete

Dje kam njohur një njeri të mrekullueshëm. Një palë sy të zinj, të gjallë, plot jetë, flokë të zinj të shkurtër dhe teksa flet, lëviz kokën herë pas here si për t’u dhënë më tepër forcë fjalëve.
Ky njeri më ka mahnitur me forcën dhe guximin e vet, me dashurinë e madhe për jetën, me gëzimin dhe harenë që përcjell veç me praninë e vet.
Jo, nuk është burri ideal, nuk është burri i duhur në çastin e duhur, është thjesht një vajzë. Një vajzë jo më shumë se njëzet e gjashtë vjeç.
E çë pastaj, do të pyesë ndokush, ç’paska kaq të veçantë kjo vajzë e bukur njëzet e gjashtë vjeçare? Bota është e mbushur plot me vajza të këtilla, madje dhe fort të famshme, shumë më të bukura, shumë më të suksesshme, shumë më të pasura… E di, e di, por ajo vajzë ka një histori të veçantë.
Pikërisht sot, bëhen dymbëdhjetë vjet qysh nga dita kur, një plumb qorr i mallkuar, këputi në mes jetën e saj, e ndau më dysh si me thikë, atëherë dhe tani, para dhe pas… Qysh prej dymbëdhjetë vjetësh ajo është gozhduar në një karrige me rrota dhe gjithnjë ka nevojë për dikë që ta shoqërojë. Por as kjo nuk është e veçanta e saj. Lexo më tej »