30 shtatori - Dita Ndërkombëtare e Përkthyesve

Sot, vërtet është Dita Ndërkombëtare e Përkthyesve, por unë do të doja që në këtë ditë të përkujtoja shumë e shumë përkthyes shqiptarë, të preferuarit e mi, që nga Noli, Petro Zheji, Jusus Vrioni, Vedat Kokona, Klio Evangjeli, Pashko Gjeçi që e bëri Danten, Virgjilin dhe Beatriçen të këndojnë shqip, Ardian Klosi, Mira Meksi, Amik Kasoruho, dhe së fundi, por më i rëndësishmi për mua, më i madhi, Robert Shvarc. Nderimi dhe respekti im shkon për ta, (të më ndjeni, e di që kam harruar shumë të tjerë në këto çaste që po shkruaj) për të gjithë ata njerëz të mençur, që sollën në shqip kryeveprat e letërsisë botërore, që na bënë të ëndërronim tok me “Tre shokët”, na bënë të vuajmë tok me Djaloshin Verter, na shoqëruan skutave të Shkëlqimit dhe mjerimit të kurtizaneve, të njihnim dashurinë dhe çmendurinë e Ofelisë dhe të Hamletit… »»

Publikuar në Ditar, Letërsi, Mbresa, Poezi, Përkthime |më 30 Shtator 2009 |4 Komente »

Rekuiem për gjyshin tim

Nuk di nga ta nis rrëfimin tim ( kam një pështjellim idesh dhe ndjenjash, saqë as fjalët nuk arrij të gjej ato të duhurat) për atë që dua të shkruaj. Por duhet ta bëj, patjetër, në mos tjetër për të shpenguar shpirtin tim nga një peng, që nuk e dija se e mbartja brenda vetes prej vitesh. E kisha më të lehtë tek i mendoja gjërat, tek i bluaja me vete, se sa t’i hedh në letër.

Ja, pra, pas kaq e kaq kohësh, unë kam rizbuluar gjyshin tim, kam rizbuluar atë pjesë që e njihja në vegjëli, por që duke u rritur, e pata humbur nga sytë dhe, gjer më sot, kishte mbetur nën pluhurin e harresës, ndër ca kuti amballazhi që kushedi ç’funksion kanë pasur dikur, por sot për mua ato shpalosën një thesar të vjetër, të vyer, të mrekullueshëm.

Gjithçka lindi krejt pa dashje, si një trill fëmijësh për të gjetur se s’bën një libër të vjetër udhëtimesh, që dikur e kisha parë dhe lexuar në bibliotekën e gjyshit tim. Sakaq, mendja më shkoi dhe tek biblioteka e tij. S’e kisha parë më qysh pasi ai pati ndërruar jetë, ndoshta dhe ca vjet më pas, por mandej…?! Zura të bëja ca telefonata të ethshme për të pyetur ndër kushërinjtë e mi se ku kishin përfunduar librat e bibliotekës së gjyshit, ajo bibliotekë që për mua kishte qenë si vendi i çudirave dhe unë isha Liza që endesha në botët e Guliverit, të Zhyl Vernit, të Balzakut e të shumë e shumë të tjerëve. Me trishtim dhe zemër të këputur mësova që shumë prej librave kishin humbur, ca i kishin marrë “por ka mbetur dhe një kuti tjetër këtu, po deshe hajde merri”, më thotë kushërira ime. »»

Publikuar në Mbresa, Pa kategori |më 24 Gusht 2009 |0 Komente »

Shfletim jete

Dje kam njohur një njeri të mrekullueshëm. Një palë sy të zinj, të gjallë, plot jetë, flokë të zinj të shkurtër dhe teksa flet, lëviz kokën herë pas here si për t’u dhënë më tepër forcë fjalëve.
Ky njeri më ka mahnitur me forcën dhe guximin e vet, me dashurinë e madhe për jetën, me gëzimin dhe harenë që përcjell veç me praninë e vet.
Jo, nuk është burri ideal, nuk është burri i duhur në çastin e duhur, është thjesht një vajzë. Një vajzë jo më shumë se njëzet e gjashtë vjeç.
E çë pastaj, do të pyesë ndokush, ç’paska kaq të veçantë kjo vajzë e bukur njëzet e gjashtë vjeçare? Bota është e mbushur plot me vajza të këtilla, madje dhe fort të famshme, shumë më të bukura, shumë më të suksesshme, shumë më të pasura… E di, e di, por ajo vajzë ka një histori të veçantë.
Pikërisht sot, bëhen dymbëdhjetë vjet qysh nga dita kur, një plumb qorr i mallkuar, këputi në mes jetën e saj, e ndau më dysh si me thikë, atëherë dhe tani, para dhe pas… Qysh prej dymbëdhjetë vjetësh ajo është gozhduar në një karrige me rrota dhe gjithnjë ka nevojë për dikë që ta shoqërojë. Por as kjo nuk është e veçanta e saj. »»

Publikuar në Ditar, Mbresa |më 23 Qershor 2009 |11 Komente »