Përkthime

Jeni duke shfletuar arkivin për kategorinë Përkthime.

Nga Italo Calvino

 

 

Unë nuk e di në është e vërtetë ajo që thuhet nëpër libra, që në kohërat e vjetra një majmun ishte nisur nga Roma, e duke kërcyer nga një pemë në tjetrën kish arritur gjer në Spanjë, pa prekur fare në tokë. Në kohën time, një vend i tillë ishte vetëm Gjiri i Ombrozës dhe lugina e tij deri mbi kreshtën e maleve, mbushur me pemë nga njëri cep në tjetrin. Dhe për këtë arsye vendet tona ishin të përmendura gjithandej.

 

Tashmë këto vende nuk njihen më. Çdo gjë filloi me ardhjen e Francezëve, të cilët i prenë pyjet sikur të ishin lëndina që krasiten çdo vit e mandej rriten sërish.

 

Nuk u rritën më kurrë. Dukej si diçka që ndodhte vetëm në kohën e luftës, të Napoleonit, e kohërave të tjera, por në fakt historia vazhdoi. Shkrepat kanë mbetur fare lakuriq, saqë kur i shikojmë, ne që i kemi parë të lulëzuara, prekemi thellë.

 

Asokohe, kudo që shkonim, mes nesh dhe qiellit, syri të zinte vetëm degë e kurora. E vetmja zonë, ku bimësia ishte më e ulët ishin limonat, por edhe atje mes tyre ngrihej ndonjë pemë fiku, të cilët pak më lart, pranë malit, e mbushnin gjithë qiellin e kopshtijeve me kupolat e gjethnajës së tyre të dendur. Dhe në mos qenë fiq, qenë qershi me kurora të errëta, ose ftonj të ëmbël, pjeshkë, bajame, dardha të reja, kumbulla që kullonin lëng, e pastaj vardhëza, çiçibanoze, si dhe mana ose arra shumëvjeçare. Pas kopshtijeve fillonte ullishtja, gri në të argjendtë, një re që binte në sy mu në mes të bregut. Në fund vinte fshati, i mbledhur i gjithi mes portit poshtë dhe shkëmbinjve sipër; dhe aty mes çative mbinin vazhdimisht kurorat e pemëve: xinat, çinarët dhe dushqet, një bimësi shumë e harbuar dhe hijerëndë që shpërthente pastaj - një shpërthim tepër i rregullt ky - në zonën ku fisnikët kishin ndërtuar vilat dhe kishin rrethuar me kangjella parqet e tyre.

 

Mbi ullinjtë fillonte pylli. Njëherë e një kohë, pishat duhet të kenë pas mbretëruar mbi gjithë vendin, sepse ende ndërthureshin mes kaçubeve e bimëve të pyllit që nga shpatet deri poshtë në det. Po kështu dhe larshet. Dushqet qenë pemët më të dendura, aq sa sot s’ta pret mendja, sepse qenë viktimat e para e më të çmuara të sopatës. Pak më lart pishat ia linin vendin gështenjave, pylli i ngjitej malit përpjetë dhe nuk i dukej më fundi. Ky ishte universi i limfës brenda të cilit jetonim ne, banorët e Ombrozës, thuajse pa u ndjerë.

 

I pari që filloi ta mendonte mirë këtë punë qe Kozimoja. Meqë pemët ishin kaq të dendura, e kuptoi se mund të ecte disa milje, duke kaluar nga një pemë në tjetrën pa pasur nevojë të zbriste asnjëherë në tokë. Nganjëherë, një pjesë toke e zhveshur e detyronte që t’i binte gjatë e gjatë, por shumë shpejt u mësua me të gjitha drejtimet e detyruara dhe i maste largësitë jo më sipas kutit tonë, por gjithmonë sipas shtegut të ngatërruar që duhet të përshkonte ai mbi pemë. Dhe atje ku as me një të hedhur nuk mund të arrije dot tek pema pranë, filloi të përdorte ca marifete. Por për këto do të flasim më vonë. Tani jemi ende në agim dhe në çastin që u zgjua u gjend në majë të xinës, mes klithmave të gargujve, i qullur nga vesa e ftohtë, i mpirë, me kockat e përthyera, me këmbët dhe krahët miza-miza dhe i lumtur iu fut eksplorimit të botës së re. Mbërriti në pemën e fundit të parqeve, një çinar. Poshtë zbriste fusha nën një qiell plot re dhe tym që ngjitej nga çatitë prej rrasash guri e kasolleve të fshehura pas rrëpirave si grumbuj gurësh. Një qiell i mbushur me gjethe të larta fiku dhe qershije. Dhe më poshtë kumbullat dhe pjeshkët ngaterroheshin me njëra-tjetrën. Gjithçka shihej, madje edhe bari, fijez më fijez, por jo ngjyra e dheut, e mbuluar nga gjethet e amullta të kungulleshkës, nga gëmushat e lakrameve dhe lakrave kaçurrele nëpër fidanishte. E tillë ishte bimësia e nga të dyja anët formonte një formë V-je mes së cilës lugina hapej si një hinkë e lartë mbi det.

 

Nëpër këtë peisazh përhapej një valë e padukshme dhe e pakapshme nga veshi, përveçse në disa raste. Por ajo që ndihej mjaftonte për të shtuar shqetësimin. Një shpërthim britmash të mprehta krejt papritur, e pastaj një si zhaurimë zhytjeje e ndoshta dhe kërcitja e një dege të thyer, e përsëri britma, por të ndryshme, zëra të zemëruar, që shkonin e mbidheshin në po atë vend prej nga kishin dalë britmat e mprehta. Pastaj heshtje, një qetësi e plotë, si kalim i diçkaje që tashmë pritej të shfaqej jo më aty, por diku gjetkë. Dhe në fakt, kjo bashkësi zërash dhe zhurmash, këto vende prej nga ku mund të jehonin zërat, gjendeshin herë këndej, herë andej luginës, gjithnjë po atje ku era lëvizte gjethet e dhëmbëzuara të qershive.

 

Prandaj, Kozimoja, me një pjesë të trurit që lundronte e hutuar - ndërsa një pjesë tjetër e tij dinte dhe kuptonte gjithçka që më parë - formuloi këtë mendim: qershitë flasin.

 

Kozimoja kishte marrë udhën drejt qershisë më të afërt, madje ishte një rradhë e tërë qershish të larta degëshumë e gjelbëroshe rënduar me qershi të zeza. Por im vëlla ende nuk e kishte stërvitur syrin për të dalluar mes degëve ç’kishte e çfarë nuk kishte. Qëndroi aty: pak më parë dëgjohej një zhurmë, tani jo. Ai ishte mbi degët më të ulëta, dhe të gjitha degët sipër i ndjente mbi vete. Nuk dinte ta shpjegonte sesi, por i dukej sikur të gjitha përqëndroheshin mbi të, sikur pema të kishte sy në vend të qershive.

 

Kozimoja ngriti kokën dhe një qershi shumë e pjekur i ra mbi ballë me një çëk! Mbylli qepallat përgjysmë e ngriti sytë për të parë përballë ( atje ku dielli rritej) dhe pa që mbi të e të gjitha pemët pranë ishin mbushur me djem.

 

Sapo e kuptuan që ai i pa, e shqepën gojën e me zëra të mprehtë, megjithëse të ulët seç thoshin diçka si: - Shikoni sa bukur duket! - dhe duke hapur gjethet përpara, secili zbriti nga dega e vet në një degë më të ulët, drejt djalit me kapele tricepëshe në kokë. Ca prej tyre s’kishin gjë në kokë, ca të tjerë kapele kashte thekë-thekë, e disa akoma kishin vënë në kokë thasë në vend të kapeleve. Kishin veshur këmisha të grisura e brekushe; në këmbë, kush nuk ishte zbathur mbathte ca si pece, e ndonjë tjetër kishte lidhur në qafë nallanet, të cilat i kishte hequr për t’u kacavjerrë më mirë. Ajo ishte banda e madhe e hajdutëve të frutave, prej së cilës mua dhe Kozimos na kishin thënë - rregullat familjare ne i zbatonim gjithnjë - të ruheshim. Ndërsa atë mëngjes, im vëlla dukej se s’kërkonte gjë tjetër, megjithëse as ai vetë nuk e kishte të qartë se ç’shpresonte të gjente.

 

Ndaloi t’i priste, ndërsa ata zbrisnin duke e treguar me gisht e duke i hedhur nën zë romuze të ashpra: -E çfarë kërkon ky këtu? - duke e pështyrë me ndonjë bërthamë qershije apo duke i hedhur ndonjë nga ato të krimburat ose të cimbisura nga ndonjë mëllenjë, pasi i vërtisnin në ajër nga bishti me lëvizje magjistarësh.

 

- Uuh! – ai bënë papritur. Kishin parë shpatën e vogël që i varej mbrapa. – E shikoni çfarë na paska? – Dhe ia plasën të qeshurit. – Bythshkundësen!

 

Pastaj heshtën dhe përpiqeshin të mbysnin të qeshurat, sepse tani do të ndodhte diçka që të shkulje brinjët nga gazi: dy nga këta horra të vegjël, qetë-qetë, ishin ngjitur në një degë mu mbi Kozimon dhe po përpiqeshin t’i hidhnin mbi kokë grykën e një thesi ( një nga ata thasët e ndyrë që sigurisht iu shërbenin për të futur mallin e vjedhur, dhe kur ishin bosh i rregullonin për t’i mbajtur në kokë si kapuça që iu zbrisnin deri mbi shpatulla). Pas pak im vëlla do të gjendej brenda në thes, pa e kuptuar fare e mund ta lidhnin si sallam e ta zhdëpnin me shqelma.

 

Kozimoja e ndjeu rrezikun, apo ndoshta nuk ndjeu asgjë. E ndjeu veten të fyer për shpatën dhe deshi ta zhvishte për të mbrojtur nderin. E vringëlliu lart, tehu preku paksa thesin, ai e pa, dhe me një përdredhje ua zhvati nga duart dy hajdutëve të vegjël dhe e fluturoi tutje.

 

Qe goxha lëvizje. Djemtë e tjerë lëshuan një “ Oh!” keqardhjeje dhe habie njëkohësisht dhe dy shokëve që u kishte shpëtuar thesi nga dora i hodhën ca të shara në dialekt : - Cuiasse! Belinui!

 

Kozimoja nuk pati kohë t’i gëzohej suksesit. Një furi e madhe shpërtheu nga toka. Sokëllinin, gjuanin me gurë, ulërinin: - Kësaj rradhe s’keni për të na shpëtuar, hajdutë kopila! – dhe ngrinin përpjetë majat e sfurqeve.

 

Strujakët e vegjël mbi degë u mblodhën kruspull, tërhoqën këmbë e duar lart. Ajo gumëzhitje rreth Kozimos u kishte dhënë alarmin bujqve, të cilët kishin kohë që ruanin.

 

Sulmi ishte pregatitur me forca të shumta. Të lodhur nga vjedhja e frutave te sapopjekura, shumë nga çifligarët e vegjël dhe bujqit e luginës ishin bashkuar me njëri-tjetrin. Sepse e kishin të qartë që taktikës së atyre kusarëve të vegjël për të sulmuar të gjithë sëbashku një pemishte, ta vidhnin e t’ia mbathnin nga ana tjetër, e pastaj t’ia fillonin nga e para diku gjetkë, nuk mund t’i kundërviheshin veçse me të njëjtën monedhë: pra të ngrinin pusinë të gjithë sëbashku në një çiflig ku herët a vonë do të vinin, e t’i zinin të gjithë si miu në çark. Tani qentë e zgjidhur nga zinxhirët lehnin duke skërmitur dhëmbët e duke rrëmihur tek rrënjët e qershive, ndërsa ajër zgjateshin sfurqet e fierit.

 

Tre – katër nga strujakët e vegjël u hodhën në tokë tamam në kohë për të ngrënë ca të shpuara në kurriz me majat e tridhëmbëshave. Fundet e pantallonave ua grinë qentë me kafshime e mezi arritën t’ia mbathnin duke ulëritur e duke shkallmuar me kokë rreshtat e vreshtave. Kështuqë askush nuk guxoi më të zbriste: qëndronin të çoroditur mbi pemë, si ata, si Kozimoja. Bujqit kishin vënë shkallët mbi qershitë dhe po ngjiteshin sipër me sfurqet e mprehtë përpara.

 

U deshën disa minuta derisa Kozimoja ta kuptonte se meqë ishte e trembur ajo bandë vagabondësh, s’kishte kuptim që të trembej dhe ai, po ashtu siç nuk kishte kuptim ideja që ata ishin më zotë se ai. Fakti, që po rrinin aty si hunj gardhi, e dëshmonte fare qartë këtë: ç’prisnin, pse s’ia mbathnin mbi pemët rreth e rrotull? Im vëlla në këtë mënyrë kishte mbërritur deri aty e po ashtu mund të ikte. Hodhi tricepëshin në kokë, kërkoi degën që i kishte shërbyer si urë, kaloi nga qershija e fundit në një çinar, nga çinari, duke u varur u hodh mbi një kumbull e kështu me rradhë. Djemtë, kur e panë që po vinte rrotull nëpër pemë sikur të ishte duke bërë shëtitje në piacë, e kuptuan se duhet ta ndiqnin menjëherë nga pas, ndryshe kushedi sa do të vërdalliseshin derisa të gjenin rrugën. Dhe e ndoqën në heshtje, duke ecur këmbadorazi nëpër atë shteg dredha-dredha. Ndërkohë, ai ngjitej në një fik, kapërcente gardhin e fushës, hipte mbi një pjeshkë të butë e me shumë degë, ku duhet të kalonin njëri pas tjetrit. Pjeshka shërbente vetëm për t’u kapur pas trungut të shtrembërt të një ulliri që shfaqej mbi një mur. Me një kërcim gjendej mbi një lis, një degë e fortë e të cilit zgjatej deri mbi përrua, e që aty mund të kalonte mbi pemët e anës tjetër të përroit.

 

Burrat me sfurqe, që tashmë kujtonin se i kishin hedhur në dorë hajdutët e frutave, i panë tek ia mbathën nëpër qiell si zogj. I ndoqën pas, duke vrapuar bashkë me qentë që lehnin, por iu desh t’i binin qark gardhit, mandej murit. E bukura qe se në atë pikë të përroit nuk kishte ura e për të gjetur një va humbën shumë kohë. Ndërkohë çamarrokët ishin larguar shumë me vrap. Vraponin si njerëz, me këmbë në tokë. Mbi pemë kishte mbetur vetëm im vëlla.

 

- Ku përfundoi ai pelivani me gjunjakë? – pyesnin njëri-tjetrin, duke mos e parë më përpara tyre. Ngritën sytë: ja tek ishte atje, duke kërcyer mbi ullinjtë.

 

- Ej, ti, zbrit poshtë! Tani nuk na zënë dot më!

 

Ai nuk zbriti. U hodh degë më degë, nga një ulli tek tjetri, iu humbi nga sytë të gjithëve, mes gjethnajës së dendur e të argjendtë.

 

Banda e vagabondëve të vegjël, me thasët hedhur si kapuça mbi kokë dhe me ca kallama të gjata në duar, tani i ishte vërsulur ca qershive në fund të luginës. Punonin me rregull duke zhveshur degë pas degë, kur në majë të pemës më të lartë, ulur këmbëkryq, duke kapur qershitë nga bishti me dy gishta e duke i vënë pastaj në kapele, kë panë do të thoni ju? Djalin me gjunjakë!

 

- Ej, nga na mbive ti këtu? – e pyetën gjithë mendjemadhësi. Por ama, ishin 5oroditur fare, sepse dukej sikur ai ia kishte behur aty duke fluturuar.

 

Im vëlla i merrte qershitë një nga një nga tricepëshi e i fuste në gojë si të ishin fruta të sheqerosura. Pastaj pështynte bërthamat me një shfrim të buzëve, me kujdes që të mos bënte pis plëncin.

 

- Çfarë kërkon nga ne ky akullorexhiu?- tha njëri prej tyre. - Përse na ngatërrohet nëpër këmbë? Përse nuk ha qershitë e kopshtit të vet?

 

Por ishin dhe pak të ndrojtur, sepse e kishin kuptuar që mbi pemë ai ishte më i zoti nga ata të mbledhur të gjithë bashkë.

 

- Mes këtyre akullorexhinjve, - ia priti një tjetër, - nganjëherë lind ashtu si gabimisht ndonjë shpirt njeriu. Ja merr Sinforozën, për shembull…

 

Sapo dëgjoi këtë emër misterioz, Kozimoja ngriti veshët dhe nuk e kuptoi as vetë përse u skuq.

 

- Sinforoza na tradhëtoi. – tha një tjetër.

 

- Po si akullorexheshë që ishte, ishte goxha e zonja, e po të kishte qënë ajo sot e t’i kishte rënë bririt, nuk do të na kishin kapur.

 

- Mund të bëhet me ne edhe një akullorexhi, kuptohet, po të dojë të futet në rradhët tona.

 

( Kozimoja e kuptoi që akullorexhi donte të thoshte banor i vilave, ose fisnik, ose thjesht i sërës së lartë.)

 

- Dëgjo këtu, - i tha njëri, - të flasim hapur: nëse do të vish me ne, sulmet do t’i bëjmë bashkë dhe ti do të na mësosh gjithë marifetet që di.

 

- Dhe na lër të futemi në pemishten e babai tënd! – tha një tjetër. – Mua një herë më qëlluan me kripë!

 

Kozimoja i dëgjonte të gjitha, por më tepër si i zhytur në mendimet e tij.

 

Pastaj tha: - Pa më thoni, kush është Sinforoza?

 

Atëherë, të gjithë ata rrjepacukë të vegjël mes degëve, ia plasën të qeshurit. Qeshën aq shumë sa për pak, njëri desh ra nga qershija, dikush rrëzohej prapa e mbahej me këmbë pas degës e dikush tjetër akoma lëkundej i varur në degë me duar, gjithnjë duke u zgërdhirë e duke ulëritur.

 

Me gjithë atë tërsëllimë, sigurisht që fshatarët ranë përsëri në gjurmët e tyre. Madje gjithë skuadra bashkë me qentë duhet të kishin qënë fare pranë, sepse u ndezën ca të lehura të forta dhe ja ku ia behën të gjithë aty me sfurqe ndër duar.

 

Vetëm se kësaj here, meqë e kishin pësuar pak më parë, si fillim zunë të gjitha pemët përreth duke u ngjitur me shkallë kryq, e që aty me tridhëmbëshat dhe grabujat në duar i rrethuan nga të gjitha anët. Qentë,në tokë, në atë pështjellim njerëzish nëpër pemë nuk dinin kujt t’i suleshin dhe mbetën pak si të hutuar duke lehur në ajër. Kështuqë hajdutët e vegjël mundën të hidheshin me shpejtësi në tokë, të vraponin secili për hesap të vet, në mes të qenve të çorientuar. Dhe nëse ndonjëri hëngri ndonjë të kafshuar në pulpë ose ndonjë shkop kokës a ndonjë gur, shumica shpëtuan shëndoshë e mirë.

 

Mbi pemë mbeti vetëm Kozimoja.

 

- Zbrit! – i thërrisnin të tjerët duke iu dhënë këmbëve. – Ç’bën? Të zuri gjumi? Hidhu në tokë sa është rruga ende e lirë!

 

Por ai, duke shtrënguar degën mes gjunjëve, zhveshi shpatën. Nga pemët pranë, fshatarët zgjasnin sfurqet, të cilave në majë u kishin lidhur nga një shkop që ta arrinin. Kozimoja duke tundur shpatën në ajër, i mbante larg, derisa ia ngulën njërën drejt e në gjoks duke e gozhduar pas trungut.

 

- Ndaloni! – thirri një zë. – Është Baroni i vogël Piovasko! Çfarë bëni, Imzot i ri këtu lart? Si ka mundësi që jeni përzjerë me ata fundërrina?

 

Kozimoja njohu Xhua’ dela Vaskën, një bujkrob të babait tonë.

 

Sfurqet u tërhoqën. Shumë nga fshatarët hoqën kapelet. Edhe im vëlla ngriti tricepëshin nga koka me dy gishta dhe u përkul.

 

- Ej, ju atje, lidhini qentë! – thirrën ata. –Zbriteni! Mund të zbrisni, Imzot i ri, por kujdes se pema është e lartë! Prisni, po ju vëmë një shkallë! Pastaj po ju përcjell për në shtëpi!

 

- Jo, faleminderit, faleminderit, – tha im vëlla. – Mos e prishni terezinë, e di rrugën time, e di vetë rrugën!

 

U zhduk pas trungut dhe u shfaq mbi një degë tjetër, i erdhi rrotull përsëri trungut dhe u rishfaq një degë më lart, u zhduk sërish dhe iu dukën vetëm këmbët mbi një degë më të lartë, sepse sipër kurorat ishin më të dendura. Kërceu në këmbë dhe nuk u duk më.

 

- Ku shkoi? – pyesnin burrat njëri-tjetrin, dhe nuk dinin ku të shikonin, poshtë apo lart…

 

- Ja ku është!

 

Ishte në majë të një peme tjetër, shumë larg dhe u zhduk përsëri.

 

- Ja ku është!

 

U shfaq përsëri në majë të një peme tjetër, lëkundej sikur ta merrte era dhe hop kërceu.

 

- Ra! Jo! Është atje! - Atje, sipër feksjes së gjelbërimit, dukej vetëm tricepëshi dhe bishti i tij.

 

- Po ç’zot paske kështu, ti more? – e pyetën ata Xhua dela Vaskën. – Është njeri apo kafshë e egër? Apo mos është djalli vetë?

 

Xhua dela Vaska kishte mbetur si meit, s’dinte ç’të thoshte. Shtangu!

 

U dëgjua kënga e Kozimos, një lloj ulërime me nota.

 

- O Sin-fo-ro-zaaa…!

 

 

 

 

*Fragmenti është shkëputur nga romani Baroni Rebel (Il barone rampante) i Italo Calvinos, botuar nga Shtëpia Botuese “Elite, Tiranë, 2001

Njeriu i kohës sime

Ke mbetur po ai i epokës së gurit e hobeve,

njeri i kohës sime. Ti ishe në kabinë t’avionit,

mbi krahë dashakeq, meridianë vdekjeje.

Të pashë – brenda tankesh t’zjarrtë, pranë trekëmbëshit,

pranë rrotës së torturave. Të pashë: ishe ti

me shkencën tënde ekzakte kokulur ndaj shfarosjes,

pa dashuri. Pa Krisht. Dhe vrave sërish,

si ngaherë, siç vranë etërit, siç vranë

bishat që për herë të parë të panë.

Dhe ky gjak kutërbon si at’ditë

kur vëllai i tha vëllait:

“Dalim n’mejdan”. E ajo jehonë e akullt, e ngulmët

mbërriti gjer tek ti, brenda ditës sate.

Harrojini, o bij, avujt e gjakut

që prej tokës ngrihen: harrojini etërit:

Varret e tyre u zhytshnin nën hi,

Korbat, era, zemrën ua mbuloftë!

***

Kodrina e ëmbël

Këtë mbrëmje zogj t’ largët krahçelur

fërgëllojnë mbi lumë. Dhe shiu bie paprà

dhe fëshfërima e plepave praruar

nga era. Si çdo gjë e largët,

më ndërmendesh ti. E ëmbla e blertë

e petkave të tua është këtu mes bimësh

t’zhuritura rrufesh, ku ngrihet

e bukura kodrinë e Ardenos e dëgjohet

gjeraqina ndër degët e farashkës.

Ndoshta atij fluturimi lakshtrënguar

ia besoj rikthimin tim besëprerë,

ashpërsinë, mëshirën e mundur kristiane,

e këtë vuajtje të zhveshur nga dhembja.

Një lule korali ke ndër flokë.

Por fytyra jote një hije që s’ndryshon ësht’;

(kështu të bën morti). Nga shtëpitë e errëta

të mëhallës tënde mbaj vesh Adën dhe shiun,

a ndoshta fëshfërima çapash njerëzorë

mes kallamash të butë brigjeve.

***

Dhe sakaq hij’e natës bie

Sekush rri n’vetmi në zemër të tokës

përshkuar prej një rrezeje dielli:

Dhe sakaq hij’e natës bie.

Përktheu: A. Baro

Piktura: Cannibalism in Autumn -Salvador Dali

Ëndërr

Nga Anna Achmatova

Ëndërr

E dija, ti po m’ shihje n’ëndërr

Andaj gjumi s’po më zinte.

Një dritëz e mugët kaltëronte

e udhën më printe.

***

Kopshtin e mbretëreshës sodisje

Pallat’n’e saj të bardhë, kurorëderdhur

dhe portat arabeskash të zinj qëndisur

në hyrjet kumbuese gurëgdhendur.

***

Përpara rendje mospërfillës ndaj rrugës

e mendoje: “Më shpejt, më shpejt,

Oh, sikur veç t’arrija ta gjeja,

të mos zgjohesha para se ta prekja ”.

***

Dhe roja i të bukurave porta

të thirri nga pas: “Ej, ku shkon?”

Kërkëllinte, po krisej akulli,

nën këmbë uji pis i zi sterroste.

***

“Ky është liqeni, - mendoje –

në liqen gjendet një ishull…”

Por në terrnajën e një hopi

një zjarr kaltërosh vezulloi.

***

Tek u zgjove në agun e ashpër

të një dite të shkretë, rënkove,

e për herë të parë

më thirre fort në emër.

***

Mjalti i egër ka shije lirie

Mjalti i egër ka shije lirie,

Pluhuri, shije rrezesh dielli,

Buzët e virgjëra, shije manushaqje,

dhe ari s’ka shije.

Luledjegësi ka shije uji

dhe dashuria, shije molle.

Por njëherë e mirë e kemi mësuar

Që gjaku veç shije gjaku ka…

***

Më kot prokurori romak,

mes britmave ogurzeza të plebejve

lau përpara popullit duart,

e më kot mbretëresha e Skocisë

fshinte stërpikjet e kuqe

nga pëllëmbët hollake, në terrin

mbytës të pallatit mbretëror…

*

Përktheu nga italishtja: A. Baro

Piktura: Gustave Coubert - Ëndrra (1844)

Nga Jorge Eduardo Eielson

***

Gjenezë

Një fjalë e vetme si dielli

një fjalë e kaltër si toka

fjala Adam që fle

ngjitur me fjalën Evë.

***

Ceremoni vetmitare para pasqyrës

Kur e kur ndjej zallahinë e yjeve

ndër kocka. Herë të tjera

në shputat e këmbëve. Kur e kur këndoj

kur e kur qaj rizgjohem mes buzëqeshjesh

shtrihem mes rënkimesh

ngatërroj kokën time me kërthizën

zemrën time me këpucët. Kur e kur këlthas

teshtij n’përqafim rrok mobilje dyer

krijesa

që më këqyrin e sy nuk kanë

që më thërrasin e gojë nuk kanë

vështrohem në pasqyrë dhe shoh një gorillë

të vetmuar

që kapërdin kadife. Shoh edhe

mijëra e mijëra njerëz

të gjithë si dy pika uji me mua të gjithë mbuluar me

shkumë

Çik një mur çfarëdo

dhe e ngatërroj me hënën

Ngjis dhe zbres shkallare të padukshme

Rrugë cit me hije

Autobuzë të bllokuar. Por mbi të gjitha

Ëndërroj gjëra absurde

Një fetë bukë me gjalp

Për shembull një kupë me qumësht në mëngjes

Një ledhatim në faqe

Për t’u rizgjuar më pas e kuptuar

që asgjë syresh s’është e mundur… që

përnjëmend

kokën e kam në kërthizë

zemrën në këpucë

si mijëra e mijëra njerëz

t’gjithë mbuluar me shkumë

t’gjithë dy pika uji njësoj si unë

***

Këngë

Sot n’ag

Në një qoshk të kopshtit

Varrosa zemrën time

S’e di në përnjëmend

ishte zemra ime

apo saksi im

Ka gjasa madje

Që zemra ime

Të jetë veç një kombinim

I seksit tim me saksin tim

E aty të mos ketë kopsht

Por veç një këngë

Që unë shkëmbej me zemrën time

Dhe me saksin tim.

Përktheu nga italishtja: A. Baro

Nga Guy de Maupassant

Per D.

Ishte një prej atyre netëve, kur toka duket e vdekur së ftohti. Ajria e ngrirë bëhet e ngurtë, e prekshme, mend të lëndon; as një puhizë nuk lëviz; ajo kafshon, depërton, than, vret pemët, bimët, insektet, madje edhe zogjtë e vegjël, që bien nga degët mbi tokën e fortë dhe, nën kafshimin e acarit, edhe ata bëhen gur njësoj si toka. Hëna, në çerekun e saj të fundit, anuar më një krah, e zbehtë meit, ngjante si të ish në grahmat e vdekjes, në mes të asaj hapësire dhe aq e brishtë ish, saqë dukej se s’kish takat as të ikte; qëndronte atje lart, edhe ajo e pikur nga ashpërsia e thëllimit. Shpërndante një dritë të trishtë mbi botë, atë dritë agonie e të marrtë që çdo muaj, në fund të ripërtëritjes së saj, ajo na dërgon. Karli dhe unë po ecnim krah për krah, të kërrusur, duart rrasur në xhepa dhe çiftet hedhur në krahë. Galloshet, të mbështjella me lesh që të mund të ecnim lehtësisht në kënetën e ngrirë pa rrëshkitur, nuk lëshonin asnjë pipëtimë. Unë sodisja renë e bardhë që prodhohej nga firoma e zagarëve tanë. Për një kohë të shkurtër, u gjendëm buzë kënetës dhe kuturisëm në një prej shtigjeve, mespërmes kallamishteve të thara që ngriheshin në atë pyll xhuxhmaxhuxh. Bërrylat tanë, tek fshiknin kallamat e gjatë e majëmprehtë, linin pas nesh një fëshfërimë të lehtë; si kurrë ndonjëherë ndjehesha i kapërthyer nga turbullimi i çuditshëm dhe i gjithëpushtetshëm që më cysin përbrenda kënetat.
Lexo më tej »

Nga Pier Paolo Pasolini

Seksi, ngushëllim’ i mjerimit!

Bushtra është mbretëreshë, froni i saj

një gërmadhë, toka e saj një copë

lëndinë e pëgërë, skeptri i saj

një çantë e kuqe e feksur:

Leh natën, e ndyrë dhe e egër

si një mëmë e lashtë: mbron

mallin dhe jetën e vet. Lexo më tej »

Poesie scelte di Mimoza Ahmeti

Malinconia della sera

Pensi che verranno dimenticati i miei capelli ramati,

la dorata linea ossea nel mezzo del mio petto

i due occhi elettrizanti, le labbra refrattarie

e le gambe muscolose, leggere girovaganti…

Le mie braccia stringenti come anelli di manette

Pensi che verranno dimenticate le mie palme come la sorte? Lexo më tej »

Nga Dino Buzzatti

 

 

I zymtë dhe harkmprehtë është pallati i lashtë i peshkopëve, mureve të tij pikon igrasi, dhe qëndrimi aty në netët e dimrit është një torturë e njëmendtë. Edhe katedralja ngjitur me të është e stërmadhe, gjithë një jetë nuk mjafton t’i biesh aneqark nga kreu në fund, madje atje ka një aso kapërthimi kapelash dhe sakrestish ku pas shekujsh braktisjeje, do syresh kanë mbetur ende thuajse të pazbuluara. Ç’do të bëjë mbrëmjen e Kërshëndellave – pyesim vetiu - kryepeshkopi i hajthëm, fillthi vetëm, ndërsa gjithë qyteti feston? Si do ta mundë, vallë, trishtimin e shpirtit? Gjithsekush e ka nga një ngushëllim: vocërraku ka trenin dhe pinokun, motërza ka kukullën, mëma ka të vegjlit rrotull, i sëmuri një shpresë të re, beqari plak mikun e azdisjeve, i burgosuri zërin e një tjetri në qelinë pranë. Po kryepeshkopi ynë si do t’ia bëjë, vallë? Buzëqeshte i zellshmi dom Valentini, ndihmësi i shkëlqesisë së tij, tek dëgjonte gjindjen të fliste kësisoj. Kryepeshkopi ka Zotin, mbrëmjen e Kërshëndellave. I përgjunjur, fillthi vetëm në mes të katedrales së akullt e të shkretë, në sy të parë mend të këput shpirtin, por veç ta dini, se! Ai s’është aspak fillikat vetëm, dhe as të ftohtë nuk ka, as i braktisur nuk ndjehet. Në mbrëmjen e Kërshëndellave, Zoti vërshon në tempull, për kryepeshkopin, anijatat grafullojnë nga prania e tij, në kuptimin e vërtetë të fjalës, aq sa portat mezi mbyllen; e, ndonëse nuk ka as stufa, bën aq ngrohtë saqë bollat e bardha e të vjetra rizgjohen në varret e abatëve pararendës dhe ngjiten përmes vrimave të ajrit të bimsave, duke nxjerrë hijshëm kokën nga drushtat e rrëfyestoreve. Lexo më tej »

Nga Charles Bukowsky

E diel. Unë po ha

një qitro. në perëndim

në kishën ortodokse ruse

ka mbaruar mesha.

ajo është brune

me origjinë orientale. Lexo më tej »

Poesie

Di Indrit Sinanaj

Poesie scelte dalla raccolta “Okul Defteri”

***

Tu hai detto che hai bisogno di respirare

Tu hai detto che hai bisogno

di respirare. D’urgenza

abbiamo diviso

le cose in comune lettere

principalmente

francobolli, foglie e altre

memorie. Lexo më tej »

Nga Edgar Allan Poe

 

Kështjella ku shërbëtori im kish guxuar të hynte me forcë, për të mos lejuar që unë, ashtu i plagosur rëndë siç isha, ta kaloja natën në qiell të hapur, qe një prej atyre ngrehinave ku përzjehej trishtimi dhe shkëlqimi, që për një kohë të gjatë kanë qenë një prani e zymtë mes Apeninesh, jo më pak në realitet, se sa në fantazinë e zonjës Redklif. Me sa dukej, kështjella qe braktisur kohët e fundit dhe përkohësisht. Ne u vendosëm në një prej dhomave më të vogla e të mobiluara me më pak salltanete. Ajo gjendej në një kullëz të largët të ndërtesës. Qe stolisur me ornamente të shumta, por ato qenë të rrënuara dhe të vjetra. Muret qenë veshur me sixhade dhe zbukuruar me trofe të shumta heraldike e larmitrajtash, si dhe me një numër jashtëzakonisht të madh tabllosh moderne tepër të gjalla, futur në korniza të gdhendura prej ari. Për këto piktura, që vareshin jo vetëm në sipërfaqet kryesore të mureve, por dhe në shumë prej skutave më të fshehta që arkitektura e çuditshme e kështjellës kishte sajuar – për këto tabllo, pra, ndoshta entuziazmi im paraprak më kishte shtyrë të ndjeja një interesim të thellë; kësisoj, e urdhërova Pedron të mbyllte kanatet e drunjta të dritareve të dhomës, meqënëse tashmë qe errur, të ndizte qirinjtë e një shandani që gjendej tek koka e shtratit tim dhe të çelte krejt kortinkat e zeza të kadifenjta, të zbukuara me thekë, që fshtillnin dhe vetë shtratin. I dëshiroja të gjitha këto për t’u lëshuar, në mos në krahët e gjumit, të paktën, këmbyerazi, herë në soditjen e këtyre tabllove, herë në leximin e vëmendshëm të një libërthi, që e kisha gjetur mbi nënkresë e që paraqiste mendime kritike dhe përshkrime të tyre.

 

Lexo më tej »

Jackues Prevert

 

Kjo dashuri
Kaq e furishme
Kaq e brishtë
Kaq e butë
Kaq e dëshpëruar
Kjo dashuri
E bukur si dita
E keqe si moti
Kur moti është i keq
Kjo dashuri kaq e njëmendtë
Kjo dashuri kaq e bukur
Kaq e lumtur
Kaq e hareshme
Kaq qesharake
që dridhet nga frika si një fëmijë në terr
dhe kaq e sigurt në vetvete
si një burrë i qetë në zemër të natës
kjo dashuri që iu kallte frikën
të tjerëve
e i bënte të flisnin e të zbeheshin
Kjo dashuri që sytë s’ia ndanin
Sepse ne s’ia ndanim sytë
E përndjekur, e plagosur, e shkelur, e vrarë, e mohuar, e harruar
Sepse ne e përndoqëm, e plagosëm, e shkelëm, e vramë, e mohuam, e harruam
Kjo dashuri kaq e plotë
Kaq e gjallë ende
Dhe e puthur nga dielli.
Është dashuria jote
Është dashuria ime
Ajo çka ka qenë
Kjo diçka ngaherë e re
Që kurrë s’ka ndryshuar
E njëmendtë si një lule
Drithëruese si një zog
E nxehtë, e gjallë si behari
Si ti, si unë mund
Të shkojmë e të kthehemi, mund
Të harrojmë
E mandej sërish në gjumë të biem
Të zgjohemi, të vuajmë, të plakemi
Sërish të flemë
Vdekjen t’ëndërrojmë
Të rinohemi
Dhe zgjuar të buzëqeshim, të qeshim. Dashuria jonë është aty,
Kokëfortë si një mushkë
E gjallë si dëshira
Mizore si mbamendja
Budallaqe si pendimet
E butë si kujtimet
E ftohtë si mermeri
E bukur si dita
E brishtë si një ferishte
Na vështron buzagaz
Na flet pa fjalë
Dhe unë mbaj vesh duke u dridhur
Dhe thërras
Thërras për ty
Thërras për vete
Të përgjërohem
Për ty, për mua, për të gjithë ata që dashurohen
Dhe që janë dashuruar
Oh, po, i thërras
Për ty, për mua, për gjithë të tjerët
Që nuk i njoh.
QËndro aty ku je
Mos ik
Qëndro aty ku ishe dikur
Mos lëviz
Mos ik
Ne që jemi dashuruar, ne të kemi
Harruar
Ti mos na harro
Veç ty të kishim mbi dhè
Mos na lër të ngrijmë zemrash
Ndonëse larg, gjithnjë e më larg
Na jep një shenjëz jete
Shumë më vonë, në anë të një pylli
Mes pyllit të mbamendjes
Vrik ngrihu
Zgjatna dorën
E na shpëto.
***
Përktheu nga italishtja: A.Baro

Sot, vërtet është Dita Ndërkombëtare e Përkthyesve, por unë do të doja që në këtë ditë të përkujtoja shumë e shumë përkthyes shqiptarë, të preferuarit e mi, që nga Noli, Petro Zheji, Jusus Vrioni, Vedat Kokona, Klio Evangjeli, Pashko Gjeçi që e bëri Danten, Virgjilin dhe Beatriçen të këndojnë shqip, Ardian Klosi, Mira Meksi, Amik Kasoruho, dhe së fundi, por më i rëndësishmi për mua, më i madhi, Robert Shvarc. Nderimi dhe respekti im shkon për ta, (të më ndjeni, e di që kam harruar shumë të tjerë në këto çaste që po shkruaj) për të gjithë ata njerëz të mençur, që sollën në shqip kryeveprat e letërsisë botërore, që na bënë të ëndërronim tok me “Tre shokët”, na bënë të vuajmë tok me Djaloshin Verter, na shoqëruan skutave të Shkëlqimit dhe mjerimit të kurtizaneve, të njihnim dashurinë dhe çmendurinë e Ofelisë dhe të Hamletit… Lexo më tej »

 

 

 

 

 

 

Gjethe të vdekura

Lipsia, Shtator 1961

Gjethet që bien ma çjerrin shpirtin përbrenda

sidomos gjethet e rruginave

sidomos në janë gështenja të egra

sidomos në kalojnë vocërrakë

sidomos në qielli është i kaltër

sidomos në kam marrë, atë ditë

një lajm të mirë

sidomos në zemra, atë ditë,

nuk më dhemb

sidomos në besoj, atë ditë,

që ajo që dua më do

sidomos në atë ditë

ndjehem në paqe

me gjindjen dhe me veten

tek shoh gjethet që bien, shpirti më çirret

sidomos gjethet e rruginave

të rruginave të gështenjave të egra.

***

Çka kam shkruar për ne është krejt e gënjeshtërt

Çka kam shkruar për ne është krejt e gënjeshtërt

Është malli im

rritur në një pemë të paarritshme

është etja ime

nxjerrë në dritë nga pusi i ëndrrave të mia

është vizatimi

përvijuar mbi një rreze dielli

çka kam shkruar për ne është krejt e vërtetë

është hiri yt

shportë cit me fruta përmbysur mbi bar

është mungesa jote

kur bëhem drita e fundit në qoshkun e fundit të udhës

është xhelozia ime

kur rend netëve mes trenave me sytë e lidhur

është lumturia ime

lumë i larë në diell që vërshon mbi diga

çka kam shkruar për ne është krejt e gënjeshtërt

çka kam shkruar për ne është krejt e vërtetë.

 

 

***

U zhvesha nga ideja e vdekjes

U zhvesha nga ideja e vdekjes

gjethnajën e qershorit ndër rrugina krahëve hodha

ajo e majit qe paksa rinore për mua.

Gjithë një verë më pret gjithë një verë në qytet

me gurët e vet asfaltin përzhitës

me arançatat e veta akullin e vet

me sallat e djersitura të kinemave

aktorët e provincës me zë të plotë

me taksitë e veta që zhduken

në ditët e mëdha të largimeve

me pemët e tij në parkun Hermitazh

që si kuinta prej letre ngjajnë

nën dritën e neoneve

ndoshta me këngët meksikane ose me tamtamët e Ganës

me poezitë që do të lexoj në ballkon

dhe me flokët e tu paksa të shkurtuar.

Gjithë një verë në qytet më pret

gjethnajën e qershorit ndër rrugina krahëve hodha

u zhvesha nga ideja e vdekjes.

***

Ditët janë gjithnjë e më të shkurta

Ditët janë gjithnjë e më të shkurtra

do të fillojnë shirat.

Porta ime t’ka pritur, flegër më flegër çelur.

Pse vonove kaq shumë?

Mbi tryezën time, ca speca jeshilë, kripë, pak bukë.

Verën që kisha ruajtur në kanë

e kam pirë përgjysmë, vetëm, duke pritur.

Pse vonove kaq shumë?

Por ja, mbi degë, të arrira, të thella

ca fryte rënduar nga mjalti.

Po rrëzoheshin pa u vjelë

Po t’ishe vonuar dhe pak

 

 

Përktheu: A.Baro

Nga Dino Buzzati

Do të doja që ti të vije tek unë një mbrëmje dimri dhe, të përqafuar së bashku pas xhamave të dritares, duke soditur vetminë e rrugëve të errëta e të ngrira, të kujtonim dimrat e përrallave, ku njerëzit jetojnë së toku pa e ditur. Unë dhe ti kaluam nëpër të njëjtat shtigje të magjepsura me hapa të druajtur; bashkë përshkuam pyjet plot ujq; dhe të njëjtat zana na pastronin udhën nga myshqet e nderë mbi kulla, mes fluturimesh korbash. Së toku, pa e ditur, ndoshta pamë të dy atje, tej jetën plot mistere që na priste. Aty rigëtinë për ne, për herë të parë dëshira çmendurake e të ëmbla.

Të bie në hatër, – do t’i themi njëri-tjetrit duke u përqafuar butësisht në dhomën e ngrohtë, dhe ti do të më buzëqeshësh besimplotë, ndërsa jashtë era do të tundte llamarinat që do të lëshonin tinguj të zymtë.

Por ti – tani po më ndërmendet – nuk i di përrallat e vjetra të mbretërve pa emër, të katallanëve dhe kopshteve të magjepsura. Kurrë nuk kalove, e mahnitur, nën pemët magjike që flasin me zë njeriu, as tek porta e kështjellës së braktisur nuk trokite kurrë, edhe natën nuk ece drejt dritës që ishte larg, larg, as gjumi nuk të zuri nën yjet e Lindjes, përkundur nga piroga e shenjtë.

Në mbrëmjet e dimrit, pas xhamave, ndoshta ne do të mbetemi përherë të heshtur, unë i humbur në përrallat e mia të vdekura, ti në hallet të tjera të panjohura për mua. Unë do të të pyes: “Të kujtohet?”, por ty nuk do të të bjerë ndër mend asgjë. Lexo më tej »

Fundi i botës

Nga Dino Buzzati
Një mëngjes, rreth orës dhjetë, një grusht i paanë pushtoi qiellin e qytetit; mandej, u hap ngadalë në formë kthetre dhe mbeti kështu i palëvizur, si shenjë e një rrënimi të jashtëzakonshëm.

Ngjante si gur, por nuk ishte gur, dukej si mish, por nuk ishte, dukej të kishte përbërje reje, por as re nuk ishte. Ishte Zoti; dhe fundi i botës.

Një murmurimë, që mandej u shndërrua në rënkim e më pas në kujë, u ngrit mbi lagjet e qytetit, derisa u bë një zë i vetëm, i pandarë dhe i tmerrshëm, që ngjitej drejt kupës qiellore si një trombë.

Luiza dhe Pietroja gjendeshin në një shesh të vogël, i vakët në atë orë të ditës, rrethuar nga pallate të mrekullueshëm dhe pjesërisht prej kopshtijesh. Por në qiell, në një lartësi të paskajshme, ndehej pezull ajo dorë.

Dritaret çeleshin kanat më kanat mes ulërimave e britmave të frikshme, ndërsa piskama fillestare e qytetit po qetësohej pak nga pak; zonja të reja, gjysmë cullak dilnin nëpër dritare për të parë apokalipsin. Njerëzia dilnin nga shtëpitë, shumica duke rendur, ndjenin nevojë të lëviznin, të bënin diçka, çfarëdo që të ishte, nuk dinin ku të futeshin.

Luiza shpërtheu në një vaj plot dënesë.

-E dija, - belbëzonte mes lotëve, - që do të përfundonte kështu…Kurrë s’kemi shkuar në kishë, kurrë s’jemi lutur.. s’e çaja kokën unë, dhe ja tani… e ndjeja që do të përfundonte kështu!… Lexo më tej »

“Natë pa fund” është një film italian me regji të Elisabeta Sgarbit. Filmi ndahet në katër cikle, “Dashuri e largët”, “Fataliteti i bukurisë”, “Gruaja e Salemit” dhe “Terri” (Inçesti) . Autorët e skenarit janë shkrimtarët Amin Maalouf, Tahar Ben Jelloun e Hanif Kureishi. Filmi është një hulumtim dhe rrugëtim në qoshet dhe humbellat më të fshehta të shpirtit njerëzor. Nëse kërkoni veprim dhe aksion, nuk do ta gjeni në këtë film. Filmi rrëfen në prozë poetike, recituar nga aktorë të njohur italianë, dritë-hijet e dashurisë, misterin e tradhëtisë, terrin e inçestit. Kjo është kinemaja e fjalëve.

Ju ftoj, miqtë e mi, të përshkojmë së bashku pjesën e parë të këtij filmi-poezi, “Dashuri e largët” me shpresën se do të kënaqë shijet tuaja, nën përkthimin e A.Baro.

Dashuri e largët

Mësoi të fliste për lumturinë, si të ishte

i lumtur nuk mësoi kurrë,

Mësoi të fliste për lumturinë,të ishte

i lumtur asfare.

Mësoi veçse të fliste për lumturinë.

Ndoshta qe i lumtur? Ndoshta, po.

Por prej gjithë netëve të rinisë,

s’i mbet’ më asgjë, Lexo më tej »

Vetvetes

            

Tash përngaherë do të .prehesh,

e lodhura zemra ime. Sosi mashtrim’ i skajshëm,

që t ‘përjetshëm e pandehja. U sos. Thellë e ndjej,

brenda nesh, mashtrimeve t’shtrenjta

jo vec shpresa, por dhe deshira u është shuar tashmë.

Prehu pergjithmonë. Shumë

hoqe. Asgjë s’i ka hak

përpëlitjet e tua, më t’voglën psherëtimë s’e meriton

toka. Dhembje e mërzi

jeta, kurrgjë tjetër s’qe. Dhe baltë është bota,

pusho tashmë. Dëshpërohu

për t’fundmen herë. Sojit tonë, vec vdekjen

fati i dhuroi. Tash t’përçmon

ty, natyrën, Fuqia

e ligë, që fshehtas, në dëm të të gjithëve sundon

dhe kotësia e pafund e gjithçkaje.

Xhakomo Leopardi

Perktheu: A.B.

Hanës

Nga Xhakomo Leopardi

O e hijshmja Hanë, tash po më ndërmendet

që, plot nji vit ma parë, mbi kët’ kodrinë

unë erdha plot vrevë sërish për të t’sodit’:

dhe ti pezull qëndroje mbi kët’ pyll

bash si tash, që tërësej me dritë shkëlqen.

Por e marrtë e fërgëlluese prej vajit

që m’lindte nën qepallë, në drit’n e syve t’mi

f’tyra jote shfaqej, se fort e ligsht

qe jeta ime: dhe ende ashtë, ojtnì s’ka ndryshue,

o e dashtuna hanë. E gjithë më ndih

mbamendja, dhe përkujtimi i moteve

të dhembjes sime. Oh sa kandshëm rrjedh

në të ri, kur ende e madhe

ashtë shpresa dhe e shkurtër udh’e kujtimit,

ndërmendja e gjanave të shkueme,

ende e trishtë ashtë, e angushtia zgjat!

Përktheu: A. B.

Maçoku, kryeartëza dhe yjet

 

Nga Luigi Pirandello

 

Një gur. Edhe një gur tjetër. Një njeri kalon aty pari dhe i sheh pranë e pranë. Ç’mendon ky gur për gurin ngjitur? Po për pellgun, ç’dinte uji që dergjej aty? Njeriu sheh ujin dhe pellgun; ndjen ujin të gurgullojë e arrin gjer sa të imagjinojë që uji, duke kaluar aty, kushedi se ç’të fshehta i beson pellgut.

Ah, ç’natë e mbushur plot yje mbi çatitë e këtij katundi të varfër mes malesh!

Po ta shihje qiellin nga këto çati, bëje be se yjet atë natë nuk shihnin gjë tjetër veç tij, aq shumë xixëllonin që nga lart.

Dhe yjet nuk përfillnin as tokën.

Po malet? Si është e mundur të mos e dinin që i përkisnin këtij katundi të vogël, që qëndron mes tyre thuajse prej njëmijë vjetësh?

Të gjithë i dinë emrat e tyre. Mali i Bririt, mali i Manit; dhe ata vetë s’e ditkan që qenkëshin male? Po atëherë edhe shtëpia më e vjetër e këtij katundi nuk do ta pranonte se pat lindur këtu, në qoshe të kësaj udhe, që është më e lashta e të gjitha udhëve. A është e mundur, vallë? Po atëherë? Lexo më tej »

Trëndafili

Nga Alberto Moravia

rose.JPG

Një mëngjes maji një zhuzhake e artë, e kolme, e ndjekur nga e bija, ende njomëzake, pasi fluturoi më kot nëpër kopshtijet e mëhallës pa gjetur asnjë trëndafil, përshqoi nga larg lehet e luleve të pensionit dhe qëndroi duke zukatur mbi gjethen e artë dhe të gjerë të një nespulle. Aty, pasi mori frymë thellë edhe njëherë i tha së bijës:

- Ja pra, tek i erdhi fundi edhe pelegrinazhit tonë. Poshtë kësaj gjetheje ka aq shumë trëndafilë, që nuk presin gjë tjetër veç ardhjen tënde. Gjer tani, meqë je e re kam dashur të të shoqëroj dhe të të këshilloj në zgjedhjet dhe në marrëdhëniet e tua me trëndafilat… I trembesha ndjesive të reja e të vrullshme, që tok me axhamillëkun e moshës mund të vinin në rrezik shëndetin tënd mendor dhe fizik. Por pashë që ti je një zhuzhake e mençur, tek e mbramja, si gjithë pjesëtarët e tjerë të derës sonë. Ndaj, e mblodha mendjen që, tashmë është koha të fluturosh vetë mbi ata trëndafila që t’i ka ënda. Pra, është më mirë që sot të ndahemi për gjithë ditën; në mbrëmje do të takohemi përsëri po mbi këtë nespull. Por para se të ndahemi duhet të të jap disa këshilla. Mos harro kurrë që zhuzhakja ka lindur për të përpirë trëndafila. Dhe anasjelltas: zoti i ka krijuar trëndafilat që zhuzhaket të ushqehen me ta. Ndryshe për çfarë do të hynin në punë këto lule? Por nëse nuk gjen trëndafila, mos fut gjë ndër dhëmbë; më mirë të vuash urie se sa të vësh ne gojë haje tjetër të padenjë për sojin tënd. Dhe mos iu beso sofizmave të vemjeve e ca të tjerëve. Sipas tyre të gjitha lulet janë të mira. Eh, në krye kështu duket, por disa gjëra ndryshojnë me kalimin e viteve të rinisë; zhuzhakja që ka dalë nga udha e Zotit zbulon të gjitha veset e një argëtimi të turpshëm; e dëbuar nga kombi i saj nuk i mbetet veçse të bredhë me zhuzhakët e majit, me grerëzat, arzat, e të tjera fundërrina. Ngase trëndafili, bija ime, para se të jetë haje për trupin është haje për shpirtin. Bukuria e tij i fal bukuri edhe zhuzhakes së artë. Janë punë misterioze këto dhe më shumë nuk di ç’të të them. Di vetëm që disa ligje, që me të drejtë quhen hyjnore, janë ndëshkuar gjithsaherë kur janë thyer. Por ti nuk ke nevojë për të tilla paralajmërime, je një zhuzhake e fortë dhe e rregullt, dhe disa gjëra i kupton vetvetiu. Atëherë, mirupafshim bijëza ime, do të shihemi në mbrëmje. Lexo më tej »

Shenjtorët kanë secili nga një shtëpizë përgjatë lumit, me një ballkon që sheh mbi oqean. Ky oqean është Zoti. Verës, kur bën shume nxehtë, ata zhyten në ujërat e kaltra të oqeanit, ne atë ujë që është Zoti vetë.
Sapo marrin vesh që po vjen ndonjë shenjt i ri, menjëherë fillojnë nga puna për ndërtimin e një shtëpize të re, përkrah të tjerave.
Kështu ato ndjekin njëra tjetrën, përgjatë bregdetit, pa fund, hapësira sigurisht që nuk mungon.

Edhe Shën Gançiloja, menjëherë pas emërimit , mbërriti në vend dhe çdo gjë e gjeti gati, njësoj si të tjerët.Me mobile,të brendshme, enë kuzhine, ndonjë libër të bukur dhe gjithçka tjetër që nevojitet.

Varur ne mur ishte dhe nje vrasëse mizash, sepse në atë zonë gëlonin mjaft miza, por jo të bezdisshme.

Gançiloja nuk ishte ndonjë  shenjt i famshëm. Kishte jetuar përulësisht, si fshatar i thjeshtë dhe, vetëm pas vdekjes dikush ishte kujtuar për mirësinë  që kish patur ai njeri. Famullitari, pa patur shumë besim tek e vërteta, kishte ndërmarrë hapat e para për proçesin e lumturueshëm.Që prej atëherë kishin kaluar rreth 200 vjet. Por ne gjirin e thellë të Kishës, hap pas hapi e pa u ngutur, proçesi kishte shkuar përpara. Lexo më tej »