Poezi

Jeni duke shfletuar arkivin për kategorinë Poezi.

Njeriu i kohës sime

Ke mbetur po ai i epokës së gurit e hobeve,

njeri i kohës sime. Ti ishe në kabinë t’avionit,

mbi krahë dashakeq, meridianë vdekjeje.

Të pashë – brenda tankesh t’zjarrtë, pranë trekëmbëshit,

pranë rrotës së torturave. Të pashë: ishe ti

me shkencën tënde ekzakte kokulur ndaj shfarosjes,

pa dashuri. Pa Krisht. Dhe vrave sërish,

si ngaherë, siç vranë etërit, siç vranë

bishat që për herë të parë të panë.

Dhe ky gjak kutërbon si at’ditë

kur vëllai i tha vëllait:

“Dalim n’mejdan”. E ajo jehonë e akullt, e ngulmët

mbërriti gjer tek ti, brenda ditës sate.

Harrojini, o bij, avujt e gjakut

që prej tokës ngrihen: harrojini etërit:

Varret e tyre u zhytshnin nën hi,

Korbat, era, zemrën ua mbuloftë!

***

Kodrina e ëmbël

Këtë mbrëmje zogj t’ largët krahçelur

fërgëllojnë mbi lumë. Dhe shiu bie paprà

dhe fëshfërima e plepave praruar

nga era. Si çdo gjë e largët,

më ndërmendesh ti. E ëmbla e blertë

e petkave të tua është këtu mes bimësh

t’zhuritura rrufesh, ku ngrihet

e bukura kodrinë e Ardenos e dëgjohet

gjeraqina ndër degët e farashkës.

Ndoshta atij fluturimi lakshtrënguar

ia besoj rikthimin tim besëprerë,

ashpërsinë, mëshirën e mundur kristiane,

e këtë vuajtje të zhveshur nga dhembja.

Një lule korali ke ndër flokë.

Por fytyra jote një hije që s’ndryshon ësht’;

(kështu të bën morti). Nga shtëpitë e errëta

të mëhallës tënde mbaj vesh Adën dhe shiun,

a ndoshta fëshfërima çapash njerëzorë

mes kallamash të butë brigjeve.

***

Dhe sakaq hij’e natës bie

Sekush rri n’vetmi në zemër të tokës

përshkuar prej një rrezeje dielli:

Dhe sakaq hij’e natës bie.

Përktheu: A. Baro

Piktura: Cannibalism in Autumn -Salvador Dali

Ëndërr

Nga Anna Achmatova

Ëndërr

E dija, ti po m’ shihje n’ëndërr

Andaj gjumi s’po më zinte.

Një dritëz e mugët kaltëronte

e udhën më printe.

***

Kopshtin e mbretëreshës sodisje

Pallat’n’e saj të bardhë, kurorëderdhur

dhe portat arabeskash të zinj qëndisur

në hyrjet kumbuese gurëgdhendur.

***

Përpara rendje mospërfillës ndaj rrugës

e mendoje: “Më shpejt, më shpejt,

Oh, sikur veç t’arrija ta gjeja,

të mos zgjohesha para se ta prekja ”.

***

Dhe roja i të bukurave porta

të thirri nga pas: “Ej, ku shkon?”

Kërkëllinte, po krisej akulli,

nën këmbë uji pis i zi sterroste.

***

“Ky është liqeni, - mendoje –

në liqen gjendet një ishull…”

Por në terrnajën e një hopi

një zjarr kaltërosh vezulloi.

***

Tek u zgjove në agun e ashpër

të një dite të shkretë, rënkove,

e për herë të parë

më thirre fort në emër.

***

Mjalti i egër ka shije lirie

Mjalti i egër ka shije lirie,

Pluhuri, shije rrezesh dielli,

Buzët e virgjëra, shije manushaqje,

dhe ari s’ka shije.

Luledjegësi ka shije uji

dhe dashuria, shije molle.

Por njëherë e mirë e kemi mësuar

Që gjaku veç shije gjaku ka…

***

Më kot prokurori romak,

mes britmave ogurzeza të plebejve

lau përpara popullit duart,

e më kot mbretëresha e Skocisë

fshinte stërpikjet e kuqe

nga pëllëmbët hollake, në terrin

mbytës të pallatit mbretëror…

*

Përktheu nga italishtja: A. Baro

Piktura: Gustave Coubert - Ëndrra (1844)

Nga Jorge Eduardo Eielson

***

Gjenezë

Një fjalë e vetme si dielli

një fjalë e kaltër si toka

fjala Adam që fle

ngjitur me fjalën Evë.

***

Ceremoni vetmitare para pasqyrës

Kur e kur ndjej zallahinë e yjeve

ndër kocka. Herë të tjera

në shputat e këmbëve. Kur e kur këndoj

kur e kur qaj rizgjohem mes buzëqeshjesh

shtrihem mes rënkimesh

ngatërroj kokën time me kërthizën

zemrën time me këpucët. Kur e kur këlthas

teshtij n’përqafim rrok mobilje dyer

krijesa

që më këqyrin e sy nuk kanë

që më thërrasin e gojë nuk kanë

vështrohem në pasqyrë dhe shoh një gorillë

të vetmuar

që kapërdin kadife. Shoh edhe

mijëra e mijëra njerëz

të gjithë si dy pika uji me mua të gjithë mbuluar me

shkumë

Çik një mur çfarëdo

dhe e ngatërroj me hënën

Ngjis dhe zbres shkallare të padukshme

Rrugë cit me hije

Autobuzë të bllokuar. Por mbi të gjitha

Ëndërroj gjëra absurde

Një fetë bukë me gjalp

Për shembull një kupë me qumësht në mëngjes

Një ledhatim në faqe

Për t’u rizgjuar më pas e kuptuar

që asgjë syresh s’është e mundur… që

përnjëmend

kokën e kam në kërthizë

zemrën në këpucë

si mijëra e mijëra njerëz

t’gjithë mbuluar me shkumë

t’gjithë dy pika uji njësoj si unë

***

Këngë

Sot n’ag

Në një qoshk të kopshtit

Varrosa zemrën time

S’e di në përnjëmend

ishte zemra ime

apo saksi im

Ka gjasa madje

Që zemra ime

Të jetë veç një kombinim

I seksit tim me saksin tim

E aty të mos ketë kopsht

Por veç një këngë

Që unë shkëmbej me zemrën time

Dhe me saksin tim.

Përktheu nga italishtja: A. Baro

Nga Pier Paolo Pasolini

Seksi, ngushëllim’ i mjerimit!

Bushtra është mbretëreshë, froni i saj

një gërmadhë, toka e saj një copë

lëndinë e pëgërë, skeptri i saj

një çantë e kuqe e feksur:

Leh natën, e ndyrë dhe e egër

si një mëmë e lashtë: mbron

mallin dhe jetën e vet. Lexo më tej »

Poesie scelte di Mimoza Ahmeti

Malinconia della sera

Pensi che verranno dimenticati i miei capelli ramati,

la dorata linea ossea nel mezzo del mio petto

i due occhi elettrizanti, le labbra refrattarie

e le gambe muscolose, leggere girovaganti…

Le mie braccia stringenti come anelli di manette

Pensi che verranno dimenticate le mie palme come la sorte? Lexo më tej »

Nga Charles Bukowsky

E diel. Unë po ha

një qitro. në perëndim

në kishën ortodokse ruse

ka mbaruar mesha.

ajo është brune

me origjinë orientale. Lexo më tej »

Poesie

Di Indrit Sinanaj

Poesie scelte dalla raccolta “Okul Defteri”

***

Tu hai detto che hai bisogno di respirare

Tu hai detto che hai bisogno

di respirare. D’urgenza

abbiamo diviso

le cose in comune lettere

principalmente

francobolli, foglie e altre

memorie. Lexo më tej »

Nga Omar Khajam

Shqipëruar nga Fan Noli

Botim i vitit 1943

Rubajit e Dashurisë

 

Fito një zëmër, puth-e dhe rrëmbeje,

edhe adhuroje si Alltar prej Feje;

Një qint Qabera, s’vlejnë sa një zëmër;

Zëmër kërko, Haxhi, jo Gur Qabeje.

O ti, mi Dhé m’ e zgjedhura Selvì,

M’e shtrenjtë je se shpirti e syt’e mi:

Gjë më të çmuar se sa Jeta s’ka;

M’e çmuar një qint herë më je ti!

***

Zefire, fryre, syri im të pá,

nga gjoksi zëmra m’iku dhe më la

dhe dyke fluturuar pas të rá:

Banesën sot në gjoksin t’ënt e ka.

***

Kush në Gërmadhen të ka prurë, kush?

Kush t’a çfaqur natën nurë, kush?

Kush të ka fryrë të më ndezësh furrë

nga Dashuria të sëmurë, kush?

………………………………………….

Rënkonj e psherëtinj se s’të kam pranë,

M’u-çuar zëmra, vojtjet mënt s’më lanë,

Askujt s’ia qanj dot hallin, djall’o pun:

Vrer mjalt’ e flagë-ves’ e qjell-hapsanë

***

Nga hidhërim’i ndarjes jam përpirë,

sa e sa herë zëmra m’është grirë:

Ty natën të kujtonj e psherëtinj,

Nga malli digjem, si qiri kam shkrirë…

 

MIGJENI

Përkujtesë datëlindore

PESHA E FATIT

Na shtypi fati e na bani krymba
ne kensit dykambësh që zbuluem hy’n
edhe aq ma tepër e ngatërruem ny’n…
shpirtënt tonë skyftera deshen të bahen pëllumba.
***
(Rrini mor skyftera! Pse të baheni pëllumba?
Mizat e parajsit në jetën mbrapa vorrit
kanë me iu mërzitun - dhe mandej prej zorit
do të pëlcisni… Prandej: pse të baheni pëllumba?)
***
Fat i ynë mizor - shpatë e Damokleut.
Si vall! Të gjitha përpjekjet na dështuen në terr?
E jeta na bahet ma zi se skëterrë.
Të vërtetat, as rrenat, s’i ndihmuen Dheut.
***
Të vërtetat dhe rrenat? - Xhevahirët e çmuem.
Me ta kur të duesh e shet dhe e blen botën.
Por mos mendo se me ta do t’ia ndreqish rrotën…
Jo se i pëlqen jetëçalë me shkuem.
***
Me çalue n’anë të djathtë, me çalue n’anë të majtë…
Si paljaço i gjorë që kah t’ia mbajë s’di,
mbasi kambën e theu n’akrobaci -
jet’ e tij asht helm pa asnjë pikë mjaltë.
***
NJË NATË
Grue a hyjneshë, e mbështjellun n’errsi të natës,
zbriti nga sfera të panjoftuna ndër odat e mia
dhe u shtrue një fllad, një e kandshme ndjesi,
një heshtje parathanse zemrën don të më përpijë.
Vetëm që ora këndon kangën e thjeshtë të natës
-jo -jo! dhe diku larg dëgjohen tingujt e kangës.
Grue a hyjneshë m’erdhi nga gjini i errsinës…
Qe’! frymën ia ndjej dhe zemrën që rreh prej fellsinës.
Buzët e njoma të saj,
Syt e zez e të mdhaj
me harmoni vijash të bindshme
premtojnë një dashni të hijshme
(ashtu dhe akordi i heshtjes
frytin e ambël të marrveshjes)
Dhe njëmend! At nat vallëzuen ndjesit e jona
më një valle dëfryese, pa marrun frymë…

Jackues Prevert

 

Kjo dashuri
Kaq e furishme
Kaq e brishtë
Kaq e butë
Kaq e dëshpëruar
Kjo dashuri
E bukur si dita
E keqe si moti
Kur moti është i keq
Kjo dashuri kaq e njëmendtë
Kjo dashuri kaq e bukur
Kaq e lumtur
Kaq e hareshme
Kaq qesharake
që dridhet nga frika si një fëmijë në terr
dhe kaq e sigurt në vetvete
si një burrë i qetë në zemër të natës
kjo dashuri që iu kallte frikën
të tjerëve
e i bënte të flisnin e të zbeheshin
Kjo dashuri që sytë s’ia ndanin
Sepse ne s’ia ndanim sytë
E përndjekur, e plagosur, e shkelur, e vrarë, e mohuar, e harruar
Sepse ne e përndoqëm, e plagosëm, e shkelëm, e vramë, e mohuam, e harruam
Kjo dashuri kaq e plotë
Kaq e gjallë ende
Dhe e puthur nga dielli.
Është dashuria jote
Është dashuria ime
Ajo çka ka qenë
Kjo diçka ngaherë e re
Që kurrë s’ka ndryshuar
E njëmendtë si një lule
Drithëruese si një zog
E nxehtë, e gjallë si behari
Si ti, si unë mund
Të shkojmë e të kthehemi, mund
Të harrojmë
E mandej sërish në gjumë të biem
Të zgjohemi, të vuajmë, të plakemi
Sërish të flemë
Vdekjen t’ëndërrojmë
Të rinohemi
Dhe zgjuar të buzëqeshim, të qeshim. Dashuria jonë është aty,
Kokëfortë si një mushkë
E gjallë si dëshira
Mizore si mbamendja
Budallaqe si pendimet
E butë si kujtimet
E ftohtë si mermeri
E bukur si dita
E brishtë si një ferishte
Na vështron buzagaz
Na flet pa fjalë
Dhe unë mbaj vesh duke u dridhur
Dhe thërras
Thërras për ty
Thërras për vete
Të përgjërohem
Për ty, për mua, për të gjithë ata që dashurohen
Dhe që janë dashuruar
Oh, po, i thërras
Për ty, për mua, për gjithë të tjerët
Që nuk i njoh.
QËndro aty ku je
Mos ik
Qëndro aty ku ishe dikur
Mos lëviz
Mos ik
Ne që jemi dashuruar, ne të kemi
Harruar
Ti mos na harro
Veç ty të kishim mbi dhè
Mos na lër të ngrijmë zemrash
Ndonëse larg, gjithnjë e më larg
Na jep një shenjëz jete
Shumë më vonë, në anë të një pylli
Mes pyllit të mbamendjes
Vrik ngrihu
Zgjatna dorën
E na shpëto.
***
Përktheu nga italishtja: A.Baro

Sot, vërtet është Dita Ndërkombëtare e Përkthyesve, por unë do të doja që në këtë ditë të përkujtoja shumë e shumë përkthyes shqiptarë, të preferuarit e mi, që nga Noli, Petro Zheji, Jusus Vrioni, Vedat Kokona, Klio Evangjeli, Pashko Gjeçi që e bëri Danten, Virgjilin dhe Beatriçen të këndojnë shqip, Ardian Klosi, Mira Meksi, Amik Kasoruho, dhe së fundi, por më i rëndësishmi për mua, më i madhi, Robert Shvarc. Nderimi dhe respekti im shkon për ta, (të më ndjeni, e di që kam harruar shumë të tjerë në këto çaste që po shkruaj) për të gjithë ata njerëz të mençur, që sollën në shqip kryeveprat e letërsisë botërore, që na bënë të ëndërronim tok me “Tre shokët”, na bënë të vuajmë tok me Djaloshin Verter, na shoqëruan skutave të Shkëlqimit dhe mjerimit të kurtizaneve, të njihnim dashurinë dhe çmendurinë e Ofelisë dhe të Hamletit… Lexo më tej »

 

 

 

 

 

 

Gjethe të vdekura

Lipsia, Shtator 1961

Gjethet që bien ma çjerrin shpirtin përbrenda

sidomos gjethet e rruginave

sidomos në janë gështenja të egra

sidomos në kalojnë vocërrakë

sidomos në qielli është i kaltër

sidomos në kam marrë, atë ditë

një lajm të mirë

sidomos në zemra, atë ditë,

nuk më dhemb

sidomos në besoj, atë ditë,

që ajo që dua më do

sidomos në atë ditë

ndjehem në paqe

me gjindjen dhe me veten

tek shoh gjethet që bien, shpirti më çirret

sidomos gjethet e rruginave

të rruginave të gështenjave të egra.

***

Çka kam shkruar për ne është krejt e gënjeshtërt

Çka kam shkruar për ne është krejt e gënjeshtërt

Është malli im

rritur në një pemë të paarritshme

është etja ime

nxjerrë në dritë nga pusi i ëndrrave të mia

është vizatimi

përvijuar mbi një rreze dielli

çka kam shkruar për ne është krejt e vërtetë

është hiri yt

shportë cit me fruta përmbysur mbi bar

është mungesa jote

kur bëhem drita e fundit në qoshkun e fundit të udhës

është xhelozia ime

kur rend netëve mes trenave me sytë e lidhur

është lumturia ime

lumë i larë në diell që vërshon mbi diga

çka kam shkruar për ne është krejt e gënjeshtërt

çka kam shkruar për ne është krejt e vërtetë.

 

 

***

U zhvesha nga ideja e vdekjes

U zhvesha nga ideja e vdekjes

gjethnajën e qershorit ndër rrugina krahëve hodha

ajo e majit qe paksa rinore për mua.

Gjithë një verë më pret gjithë një verë në qytet

me gurët e vet asfaltin përzhitës

me arançatat e veta akullin e vet

me sallat e djersitura të kinemave

aktorët e provincës me zë të plotë

me taksitë e veta që zhduken

në ditët e mëdha të largimeve

me pemët e tij në parkun Hermitazh

që si kuinta prej letre ngjajnë

nën dritën e neoneve

ndoshta me këngët meksikane ose me tamtamët e Ganës

me poezitë që do të lexoj në ballkon

dhe me flokët e tu paksa të shkurtuar.

Gjithë një verë në qytet më pret

gjethnajën e qershorit ndër rrugina krahëve hodha

u zhvesha nga ideja e vdekjes.

***

Ditët janë gjithnjë e më të shkurta

Ditët janë gjithnjë e më të shkurtra

do të fillojnë shirat.

Porta ime t’ka pritur, flegër më flegër çelur.

Pse vonove kaq shumë?

Mbi tryezën time, ca speca jeshilë, kripë, pak bukë.

Verën që kisha ruajtur në kanë

e kam pirë përgjysmë, vetëm, duke pritur.

Pse vonove kaq shumë?

Por ja, mbi degë, të arrira, të thella

ca fryte rënduar nga mjalti.

Po rrëzoheshin pa u vjelë

Po t’ishe vonuar dhe pak

 

 

Përktheu: A.Baro

Vetvetes

            

Tash përngaherë do të .prehesh,

e lodhura zemra ime. Sosi mashtrim’ i skajshëm,

që t ‘përjetshëm e pandehja. U sos. Thellë e ndjej,

brenda nesh, mashtrimeve t’shtrenjta

jo vec shpresa, por dhe deshira u është shuar tashmë.

Prehu pergjithmonë. Shumë

hoqe. Asgjë s’i ka hak

përpëlitjet e tua, më t’voglën psherëtimë s’e meriton

toka. Dhembje e mërzi

jeta, kurrgjë tjetër s’qe. Dhe baltë është bota,

pusho tashmë. Dëshpërohu

për t’fundmen herë. Sojit tonë, vec vdekjen

fati i dhuroi. Tash t’përçmon

ty, natyrën, Fuqia

e ligë, që fshehtas, në dëm të të gjithëve sundon

dhe kotësia e pafund e gjithçkaje.

Xhakomo Leopardi

Perktheu: A.B.

Hanës

Nga Xhakomo Leopardi

O e hijshmja Hanë, tash po më ndërmendet

që, plot nji vit ma parë, mbi kët’ kodrinë

unë erdha plot vrevë sërish për të t’sodit’:

dhe ti pezull qëndroje mbi kët’ pyll

bash si tash, që tërësej me dritë shkëlqen.

Por e marrtë e fërgëlluese prej vajit

që m’lindte nën qepallë, në drit’n e syve t’mi

f’tyra jote shfaqej, se fort e ligsht

qe jeta ime: dhe ende ashtë, ojtnì s’ka ndryshue,

o e dashtuna hanë. E gjithë më ndih

mbamendja, dhe përkujtimi i moteve

të dhembjes sime. Oh sa kandshëm rrjedh

në të ri, kur ende e madhe

ashtë shpresa dhe e shkurtër udh’e kujtimit,

ndërmendja e gjanave të shkueme,

ende e trishtë ashtë, e angushtia zgjat!

Përktheu: A. B.